
Policia e Elbasanit ka vendosur një plan të posaçëm masash për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara për Ditën e Verës. Të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë periudhës së festimeve, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen aktivitetet, në akset kryesore rrugore dhe në hyrje-daljet e qytetit.
Më datat 13 dhe 14 mars 2026 do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit. Për 48 orë do të bllokohet segmenti rrugor nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. Gjatë këtyre ditëve ndalohet edhe parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, ndërsa shërbimet e Policisë Rrugore do të orientojnë dhe devijojnë trafikun.
Për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara për parkim: mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit) do të parkohen te Parku i Mallrave; ato që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut) do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike; ndërsa mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve) do të parkohen te shkolla profesionale “Sali Ceka”, pranë Doganës dhe te parkimi pranë stacionit të trenit.
Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës “Elbasan – Cërrik” do të stacionohen tek ish-ofiçina në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për mirëkuptimin e qytetarëve, duke respektuar udhëzimet e punonjësve të policisë dhe rregullat e qarkullimit, me qëllim zhvillimin e sigurt dhe të qetë të festimeve të Ditës së Verës.
/vizionplus.tv
