minuti.al

Index Multi-Burimor i Lajmeve

Saturday, July 25, 2026

Maratona Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Pogradec, Policia njofton bllokime të përkohshme të qarkullimit

Publikuar më: 24 Korrik, 2026 - 08:28

Ditën e shtunë, më 25 korrik 2026, qyteti i Pogradecit do të mirëpresë zhvillimin e Maratonës Kombëtare dhe Ndërkombëtare, një aktivitet sportiv i organizuar nga shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec

Maratona do të nisë në orën 18:30 dhe do të zhvillohet në dy disiplina. Half Maratona 21 kilometra do të ketë startin në fshatin Lin dhe do të përshkojë aksin rrugor buzë liqenit, për të përfunduar në qendër të qytetit të Pogradecit. Ndërkohë, Mini Maratona 11.5 kilometra do të nisë nga qendra e qytetit, do të vijojë në aksin Pogradec–Buçimas–Tushemisht dhe do të kthehet sërish në pikën e nisjes, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.

Për garantimin e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka njoftuar se do të vendosen masa të posaçme për menaxhimin e qarkullimit rrugor.

Nga ora 18:30 deri në orën 22:00 do të bllokohet plotësisht aksi rrugor Lin–Pogradec, ndërsa në aksin Tushemisht–Pogradec do të bllokohen të dyja korsitë e lëvizjes. Gjithashtu, do të ketë bllokime të përkohshme edhe në disa segmente rrugore brenda qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e aktivitetit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë mirëkuptim dhe të përdorin si alternativë lëvizjeje aksin Qafë Plloçë–Qukës, në mënyrë që maratona të zhvillohet në kushte të sigurta për sportistët dhe qytetarët.