Fitore e artë në transfertë, Vllaznia mund Partizanin brenda në kryeqytet
Vllaznia ka marrë një fitore të madhe në transfertë ndaj Partizanit, duke triumfuar në kryendeshjen e Javës së 30-të dhe duke ruajtur vendin e parë në renditjen e Kategorisë Superiore.
Sfida e zhvilluar në Tiranë ishte e luftuar dhe me tension që në minutat e para. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, me të dyja skuadrat që treguan kujdes në mbrojtje dhe pak hapësira në sulm. Në pjesën e dytë, Partizanit iu anulluan dy gola për pozicion jashtë loje, ndërsa situata u komplikua edhe më shumë për vendasit pas daljes me karton të kuq të trajnerit Kërnaja që në pjesën e parë.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 82-të, kur Kevin Dodaj kaloi në avantazh Vllazninë, duke shfrytëzuar një nga rastet më të mira të kuqebluve. Kur gjithçka dukej e mbyllur, ishte sërish Dodaj ai që në minutën e 92-të dyfishoi shifrat, duke vulosur një fitore të madhe në transfertë.
Me këtë sukses, Vllaznia jo vetëm që merr tre pikë të arta në një nga transfertat më të vështira të sezonit, por konfirmon edhe statusin si pretendente kryesore për titullin kampion, duke ruajtur kreun e renditjes në një moment kyç të kampionatit.