Francesco Xhaja, luani shqiptar i Kickboksit: Nga rruga e vështirë tek majat e botës

Francesco Xhaja është emri që po shkëlqen në skenën ndërkombëtare të sporteve luftarake, duke vendosur Shqipërinë në hartën e kickboksit botëror. I renditur në vendin e 10-të në botë në kategorinë heavyweight, ai ka mbi 13 vjet përvojë në artet marciale dhe një histori frymëzuese sakrifice dhe përkushtimi.

“I fillova artet marciale rreth 13 vite më parë gjatë një periudhe shumë të vështirë të jetës,” tregon Xhaja, duke shtuar se sporti e ka ndihmuar të ndryshojë rrugën e jetës dhe t’i shmangë veset e rinisë. “Çdo i ri duhet ta gjejë veten tek sporti, është mënyra më e mirë për të qëndruar larg vështirësive,” thotë ai.

Triumfi i fundit i Francesco Xhajës erdhi pas mposhtjes së grekut Giannis Stoforidis. “Kundërshtari ishte shumë i fortë, dhe pavarësisht se nuk fitova me knockout, Shqipërinë e bëra krenare,” u shpreh kampioni.

Trajneri i tij, Leli Gega, thekson se ëndrra e këtij suksesi ka qenë gjithmonë të vinte në Shqipëri, por kushtet dhe financat e kufizuara e kanë bërë të pamundur këtë. Francesco stërvitet jashtë vendit në Itali dhe Holandë, ndërsa pjesë e karrierës së tij janë ndeshjet prestigjioze në One Championship dhe GLORY, ku ka garuar në Azi dhe Europë.

Për momentin, federata Senshi është ajo që e përfaqëson, dhe Francesco beson se shpejt do të bëhet federata më prestigjioze në botë, duke mbajtur lart emrin e Shqipërisë dhe duke frymëzuar brezat e rinj të sportistëve shqiptarë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *