Izraeli godet Libanin, 182 viktima, Ngushtica e Hormuzit e mbyllur! Irani: Shkelje e armëpushimit

0
f40e0e80-339d-11f1-ab44-83064d7b1584.jpg-711x400-1

Rreth 24 orë pas shpalljes së një armëpushimi dyjavor nga presidenti amerikan Donald Trump, situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet sërish, duke ngritur dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë e marrëveshjes.

Sulmet në Liban dhe akuzat për shkelje

Izraeli ka ndërmarrë një valë të gjerë sulmesh ajrore në Liban, ku raportohet për të paktën 182 viktima. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i cilësoi sulmet si “goditjen më të madhe” ndaj Hezbollah që nga fillimi i konfliktit, duke paralajmëruar se Izraeli është i gatshëm të rifillojë luftën kundër Iranit nëse e konsideron të nevojshme.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm iranian Saeed Khatibzadeh i quajti sulmet “shkelje të rëndë” të armëpushimit në një intervistë për BBC, ndërsa Teherani paralajmëroi për përgjigje nëse sulmet nuk ndalen menjëherë.

Negociata të reja dhe tensione diplomatike

Në përpjekje për të stabilizuar situatën, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance pritet të marrë pjesë në bisedime me Iranin në Islamabad, me ndërmjetësimin e Pakistan.

Megjithatë, zyrtarët iranianë pretendojnë se disa nga klauzolat e marrëveshjes janë shkelur tashmë, ndërsa pala amerikane pranon se një nivel “paqëndrueshmërie” është i zakonshëm në marrëveshje të tilla.

Ngushtica e Hormuzit në qendër të krizës

Një nga pikat më të ndjeshme të përplasjes mbetet Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik për furnizimet globale me naftë.

Raportet mbi statusin e ngushticës janë kontradiktore.

Mediat shtetërore iraniane pretendojnë se kalimi është mbyllur dhe se anijet duhet të marrin leje nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike për të kaluar.

Sipas këtyre burimeve, çdo anije që hyn pa leje mund të “shënjestrohet dhe shkatërrohet”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se ngushtica mbetet e hapur dhe se trafiku detar madje është rritur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *