KRIMET MJEDISORE NË SHQIPËRI NGA DJEGIA E PYJEVE TEK TREGTIA E PALIGJSHME E KAFSHËVE TË MBROJTURA
Zjarret në Shqipëri: Të dhënat Evropiane vlerësojnë sipërfaqen e djegur 4 herë më shumë se të dhënat kombëtare
Tregtia e specieve të mbrojtura: 260 persona nën hetim për gjueti të paligjshme
Autorë:
Aida Topalli Gazetare
Abdulla Diku Ekspert mjedisi
ABSTRAKT
Ky artikull i bazuar në gazetarinë shkencore që vjen si bashkëautorësi e dy ekspertëve të medias dhe mjedisit, shqyrton krimet mjedisore në Shqipëri, djegien e pyjeve dhe tregtinë e paligjshme të kafshëve të mbrojtura. Hulumtimi është fokusuar tek zjarrëvënia e pyjeve, si një nga problematikat më të theksuara në vendin tonë, sidomos përgjatë dekadës së fundit. Artikulli nxjerr në pah të dhënat e zjarrvënieve, prerja e pyjeve e deri tek tregtia e paligjshme e kafshëve të mbrojtura. Analizat tregojnë se kemi një papërputhshmëri të lartë të asaj që raportohet nga agjensitë dhe institucionet shqiptare, krahasimisht me të dhënat e marra nga autoritetet dhe organizatat e huaja. Edhe pse kemi një legjislacion të shkruar mirë në fuqi, kur vjen në praktikë, vjen jo i zbatuar mirë, herë për shkak të neglizhencës e herë për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve njerëzore. Për këtë arsye, ka nevoja imediate në trajnimin e punonjësve dhe një sy më të mirë vëzhgues të autoriteteve me qëllim parandalimin e një katastrofe të mundshme natyrore që rrezikon vendi ynë.
“Nuk di ta shpreh me fjalë trishtimin që kemi pasur atë ditë. Se të investosh mundin e të gjithë jetës dhe ta shohësh që të digjet para syve, është katastrofë”– kështu tregon Vera Nikulaj për zjarrin që përpiu Shëngjinin, e që pa frikë, mund të konsiderohet si një nga katastrofat më të mëdha të ndodhura në vendin tonë, për shkak të kohëzgjatjes dhe përmasave të mëdha që kishte.

Vera Nikulaj, banore e prekur nga zjarret në Shëngjin.
Ishte vera e vitit 2024, kur pas zjarreve të njëpasnjëshme të rëna në gjithë Shqipërinë, pika kulminante rezultoi në malin e Shëngjinit në Lezhë. Qindra biznese, mijëra hektarë pyje, miliona turistë, panë tmerrin me sy. Madje, rreziku më i madh ishte afrimi i flakëve tek depozitat e naftës të vendosura në portin e vogël të Shëngjinit, rrezik i cili u parandalua me shumë sforco nga Mbrojtja Civile dhe Forcat Zjarrëfikëse, të ndihmuara edhe nga helikopterët e shtetit fqinj, Italisë. Të gjunjëzuar përballë katastrofës, zjarret përpinë Gjirokastrën, Korçën, Tiranën, Himarën, Sarandën e Malësinë e Madhe, duke shënuar një nga sipërfaqet më të mëdha të djegura.
Shqipëria mes bukurisë natyrore dhe dorës së pamëshirshme të njeriut
Shqipëria renditet ndër vendet me biodiversitet të lartë në Evropë, por përballet me nivele të konsiderueshme të krimeve mjedisore. Vendi ynë shtrihet në zonën alpinodinarike-ballkanike dhe rreth 70% e territorit të saj është kodrinor-malor. Ky pozicion gjeografik, i kombinuar me klimën mesdhetare dhe relievin e larmishëm, ka krijuar kushte të favorshme për një biodiversitet të lartë dhe të larmishëm. Në territorin shqiptar gjenden mbi 3,200 lloje bimësh dhe rreth 760 lloje vertebroresh, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë të mbrojtura nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, si Konventa e Bernës dhe direktivat evropiane për habitatet.
Megjithatë, gjatë dekadës së fundit, presioni mbi mjedisin është rritur ndjeshëm si pasojë e urbanizimit të pakontrolluar, zhvillimit intensiv turistik, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe dobësive në administrimin e territorit. Shpyllëzimi i paligjshëm, gjuetia e ndaluar dhe tregtia ilegale e specieve të mbrojtura janë shndërruar në fenomene të përhershme, duke cënuar seriozisht ekosistemet, zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë mjedisore të vendit. Këto forma të krimit mjedisor nuk janë raste të izoluara, por pasojë e boshllëqeve ligjore, zbatimit të dobët të ligjit, mungesës së monitorimit efektiv dhe nivelit të ulët të ndëshkueshmërisë. Nga ana tjetër, të gjitha këto dëme, sidomos shpyllëzimi i paligjshëm, i ka kushtuar Shqipërisë humbjen e 35% të densitetit pyjor të saj dhe askush nuk ka dhënë llogari apo ka mbajtur përgjegjësi.

“O burrë të ikim, të shpëtojmë kokën”– Kështu e kujton momentin e rënies së zjarrit dhe bisedat e bëra mes frikës dhe erës së tymit, Liverta Dervishi.

Liverta Dervishi, banore në Gramsh.
Ajo jeton në Gramsh dhe verën që shkoi situata e shkaktuar nga flakët atje, ishte vërtet kritike. Dhjetëra shtëpi, qindra banorë të gjendur në mëshirë të zjarrit. Dëme në pyje e në gjë të gjallë. 2025 solli me vete zjarre që dëmtimet më të mëdha i la në atë që konsiderohet si mundi i një jete, shtëpitë. Delvina dhe Klosi u përfshinë po ashtu nga të njëjtat pasoja. Pamjet e bëra publike u kthyen në alarm.

Arben Cara, kreu i Shërbimit Zjarrfikës.
“Jemi përballur me një zjarr masiv në atë kohë, që ne si zjarrfikës ka vite që nuk e hasim”- theksoi kreu i Shërbimeve zjarrëfikëse, Arben Cara. Edhe banorët e tjerë, të prekur nga zjarret, kujtojnë se ishte hera e parë që pasojat ndjeheshin kaq të mëdha.
Por zjarrëvëniet e qëllimshme, janë vetëm një nga disa krime mjedisore me të cilat po përballet vendi ynë ndjeshëm këto vitet e fundit. Le t’i shohim me radhë këto fenomene dhe pasojat në secilin rast. Për analizë dhe referim, ne kemi marrë të dhëna që datojnë që prej vitit 2014, për të parë edhe kurbën e ndryshimit ndër vite, e cila, në vija të përgjithshme, mund të themi, për fat të keq, se ka ardhur gjithnjë e në rritje.
Shpyllëzimi i paligjshëm në Shqipëri
Të dhënat administrative tregojnë se shpyllëzimi i paligjshëm përbën formën më të përhapur të krimit mjedisor në Shqipëri. Sipas të dhënave të raportuara nga institucionet ligjzbatuese, gjatë periudhës 2014–2018 janë regjistruar 1,754 raste të krimeve mjedisore, ku prerjet ilegale të pyjeve zënë rreth 50–60% të tyre. Edhe pas vendosjes së moratoriumit të pyjeve në vitin 2014, prerjet e paligjshme kanë vijuar, veçanërisht në zonat rurale dhe ato të mbrojtura.
Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit, nga viti 2021 deri në vitin 2025, dy janë krimet mjedisore më të përhapura dhe që parashikohen nga dy nene:
1- Shkeljet që kanë të bëjnë me nenin 202/b dhe nenin 205;
Përkatësisht veprat penale “Dëmtimi i habitateve dhe zonave të mbrojtura natyrore” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Për të dyja këto vepra, në 4 vjet, janë regjistruar gjithsej 391 vepra penale, ku numrin më të lartë, me 318 të tilla, e ka prerja e pyejve në mënyrë të paligjshme. Nga 391 veprat penale, 359 rezultojnë të zbuluara; 28 persona janë arrestuar, ndërsa 356 janë proceduar në gjendje të lirë nga Prokuroria. Pesë persona kanë arritur të largohen.

Në statistika mungojnë të dhënat për zjarrëvënien e qëllimshme, edhe pse ka pasur njoftime policore për arrestime të disa personave, ndër vite. Pavarësisht raportimeve për arrestime të lidhura me zjarrëvënie të qëllimshme, mungesa e provave të mjaftueshme dhe paqartësitë procedurale kanë bërë që në praktikë të mos ketë vendime gjyqësore të formës së prerë për këto raste. Mungesa e profesionalizimit në këtë lloj krimi, ka bërë shpesh që arrestimet të konsiderohen herë të paligjshme e herë të paprovuara. Pra grupet hetimore nuk kanë mundur në asnjë rast të mbledhin prova të mjaftueshme për të bindur gjykatën që një person të marrë vendim të formës së prerë, të rënduar. E njëjta problematikë është pothuajse me të gjitha veprat e tjera penale që lidhen me krimet mjedisore.
Por cilat janë shkaqet që çojnë në rritjen e fenomenit?
Shkaqet e shpyllëzimit të paligjshëm janë shumëdimensionale dhe lidhen me faktorë social-ekonomik, institucionalë dhe zhvillimorë. Në nivel lokal, një ndër shtysat kryesore mbetet përdorimi i drurit për ngrohje në zonat rurale, i kombinuar me mungesën e alternativave të përballueshme energjetike. Në nivel institucional, dobësitë në monitorim, kontroll dhe administrim të fondit pyjor, së bashku me forma të korrupsionit në zinxhirin e mbikëqyrjes dhe lejeve, kanë lejuar vazhdimësinë e prerjeve ilegale pa ndëshkim efektiv. Në nivel zhvillimor, interesat ekonomike për shfrytëzimin e territorit, përfshirë ndërtimin, turizmin dhe investimet infrastrukturore, kanë nxitur në disa raste shpyllëzimin e paligjshëm ose djegien e qëllimshme të sipërfaqeve pyjore për ndryshim faktik të përdorimit të tokës. Në një numër rastesh të dokumentuara, prerjet ilegale janë të lidhura drejtpërdrejt me projekte ndërtimi ose zhvillime turistike, çka tregon ndërthurjen mes krimit mjedisor dhe modeleve të paqëndrueshme të zhvillimit.
Përgjatë hulumtimeve dhe analizës së bërë, rezulton që pyjet e dëmtuara si pasojë e zjarreve të rëna në vendin tonë, përbëjnë edhe shkakun kryesor të shpyllëzimit në nivel kombëtar.
Gjatë dekadës së fundit, zjarret në pyje janë kthyer në një nga faktorët kryesorë të humbjes së sipërfaqeve pyjore në Shqipëri. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), çdo vit raportohen qindra raste zjarresh, por këto shifra fokusohen kryesisht në menaxhimin e emergjencës dhe numrin e ndërhyrjeve, dhe jo në vlerësimin e dëmit ekologjik afatgjatë ndaj ekosistemeve. Ekspertë të mjedisit vlerësojnë se një pjesë e konsiderueshme e zjarreve mund të jenë të qëllimshme, me synim ndryshimin faktik të përdorimit të tokës. Raste të tilla janë evidentuar veçanërisht në zona me vlerë të lartë ekonomike dhe turistike, përfshirë zonat bregdetare dhe periferitë urbane në zhvillim. Sipas sistemit evropian EFFIS, i cili monitoron zjarret përmes imazheve satelitore, sipërfaqja totale e djegur në Shqipëri gjatë periudhës 2015–2025 vlerësohet në rreth 233,000 hektarë, duke përfshirë pyje, kullota dhe sipërfaqe të tjera natyrore. Mes dy burimeve, gjetëm diferenca që lidhen kryesisht me metodologji të ndryshme: AKMC mbështetet në raportime administrative dhe ndërhyrje në terren, ndërsa EFFIS përdor monitorim satelitor dhe kritere të standardizuara europiane për identifikimin e sipërfaqeve të djegura. Këto mospërputhje tregojnë se dëmi real ndaj pyjeve dhe ekosistemeve shqiptare mund të jetë më i madh se sa pasqyrohet në statistikat kombëtare, duke ndikuar negativisht në politikat e parandalimit të zjarreve dhe menaxhimit të pyjeve.
Shpeshherë njoftimet e zjarreve japin të dhëna vetëm për rastet dhe jo dëmet ekologjike (sipërfaqe dhe volum), duke krijuar kakofoni shifrash dhe statistika të pavlefshme.
Për të qenë më korrektë, ne vendosëm të bëjmë edhe një krahasim të të dhënave, të cilat, në një vështrim me sy të lirë, kanë një hendek të dukshëm.
AKMC raporton zjarret bazuar në njoftime administrative dhe ndërhyrje në terren. Ndërkohë, EFFIS përdor imazhe satelitore dhe metodologji të standardizuara në nivel evropian për të identifikuar sipërfaqet e djegura. Për disa vite radhazi gjatë periudhës 2014–2024, EFFIS ka raportuar sipërfaqe të djegura dukshëm më të larta sesa statistikat kombëtare. Kjo mospërputhje tregon se dëmi real ndaj pyjeve shqiptare është nënvlerësuar, duke ndikuar negativisht në politikat e menaxhimit të pyjeve dhe vecanerisht parandalimit të zjarreve.

Grafiku i krahasimit midis AKMC dhe EFFIS tregon mospërputhje të dukshme në raportimin e sipërfaqeve të djegura për vitet ku ekzistojnë të dhëna nga të dy burimet (2020, 2022 dhe 2024). Diferencat janë veçanërisht të mëdha në vitin 2024, ku EFFIS vlerëson sipërfaqen e djegur mbi katër herë më të lartë se raportimi i AKMC. Këto rezultate vizuale mbështesin argumentin se statistikat kombëtare nuk pasqyrojnë plotësisht dëmin real të shkaktuar nga zjarret.

Duhet theksuar se EFFIS identifikon sipërfaqet e djegura përmes imazheve satelitore dhe algoritmeve të standardizuara europiane, duke kartëzuar zonat e djegura në një njësi minimale hartëzimi prej rreth 30 hektarësh, çka lejon vlerësim të qëndrueshëm rajonal por jo kapjen e zjarreve të vogla në shkallë lokale. Viti 2024 shënoi po ashtu sipërfaqe të dendura të përfshira nga zjarret.

Pamje nga zjarret në Shqipëri.
Një ndër rastet më flagrante ishte djegia e Shëngjinit, që rrezikoi jo vetëm ekosistemin, por edhe jetët e banorëve. Përveç djegies së njësive turistike, u dogjën edhe bimësi e pyje. Sot, në një vështrim të thjeshtë, bërë në atë zonë, pjesa më e madhe e sipërfaqes së djegur, po shfrytëzohet nga investitorët për krijimin e njësive të reja të turizmit. Pavaresisht se ndryshimi i destinacionit te fondit pyjor i zonave te djegura ligjerisht eshte i ndaluar (neni 5 i ligjit 57/2020 ‘Per pyjet’), kjo gjë tashmë po ndodh në realitet. Çka ngre dyshime të forta që shpesh, sipërfaqet e djegura të pyjeve, sidomos në zona strategjike për zhvillimin turistik apo në biznese të tjera, shërbejnë si forma për të krijuar hapësira investimi, duke asgjësuar bimësinë dhe faunën fillimisht.
Edhe në rastin e ligjit të mësipërm, ndryshimi i destinacionit të fondit pyjor me zjarr eshte nje ndëshkim jo proporcional, pasi nje krim i tillë ndëshkohet me gjobë me vlerën 500,000-1,000,000 lek (neni 36, pika 8.c). Praktikisht, cdo investitor do vetëofrohej ta paguante me kënaqësi një shumë të tillë, përballë një projekti zhvillimi në të gjithë bregdetin tonë.
Gjuetia e paligjshme është një tjetër pikë që ka krijuar shqetësim serioz, duke dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në ekosistem. Por le të hedhim një sy të përgjithshëm dhe të detajuar të të dhënave të gjetura, të cilat, duhet vënë në dukje, janë tejet të cunguara në raport instituciona. Madje më shumë sesa të cunguara, mund të thuhet se ka një mungesë të gjetjes dhe referimeve të rasteve.
Moratoriumi i gjuetisë, i vendosur në vitin 2014, pezulloi përkohësisht gjuetinë e të gjitha specieve të egra në Shqipëri. Megjithatë, pavarësisht këtij ndalimi ligjor, gjuetia e paligjshme ka vazhduar gjatë gjithë dekadës. Sipas të dhënave të referuara në prokurori, mbi 260 raste të gjuetisë së paligjshme janë dokumentuar në periudhën 2014–2024, por vetëm një pjesë e vogël e tyre ka përfunduar me ndëshkim penal efektiv. Përveç dëmtimit të habitateve pyjore nga zjarret dhe prerjet ilegale, gjuetia dhe tregtia e paligjshme e specieve të egra dhe trofeve të tyre mbeten probleme madhore për ekosistemet natyrore shqiptare. Specie të mbrojtura si ariu i murrmë, rrëqebulli i Ballkanit, ujku, macja e egër, kunadhja, kaprolli dhe shqiponja e artë vazhdojnë të jenë ndër më të kërcënuarat. Helmimi i kafshëve dhe përdorimi i kurtheve janë metoda të dokumentuara dhe relativisht të përhapura në disa zona, të cilat dëmtojnë jo vetëm speciet e synuara, por edhe specie të tjera jo-target, duke prishur zinxhirin ushqimor dhe ekuilibrat ekologjikë lokalë.
Kafshët e rralla dhe larmishmëria që ka brenda saj territori shqiptar, ka bërë që dashakeqët ta shfrytëzojnë si mundësi për tregtim. Gjatë periudhës 2014–2024 janë dokumentuar dhjetëra raste të mbajtjes dhe tregtimit të paligjshëm të kafshëve të egra dhe ekzotike në Shqipëri. Raporte të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e faunës kanë evidentuar raste të shfrytëzimit të kafshëve për qëllime turistike, fotografi komerciale ose ekspozim publik, shpesh në kundërshtim me legjislacionin kombëtar dhe konventat ndërkombëtare. Në vitet 2023–2024, sipas monitorimeve të organizatave mjedisore dhe raportimeve publike, janë identifikuar mbi 27 raste të dokumentuara të tregtisë ose shfrytëzimit të paligjshëm të kafshëve të egra. Megjithëse Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burg për këto vepra, shumica e rasteve nuk përfundojnë me dënime efektive në praktikë, duke krijuar një klimë pandëshkueshmërie. Sipas raporteve të organizatave të specializuara në mbrojtjen e faunës, vlerësohet se 60–80 mace të mëdha (big cats) mund të jenë aktualisht të mbajtura në mënyrë të paligjshme brenda territorit shqiptar – një nivel shumë shqetësues për një vend me popullsi relativisht të vogël. Ky treg mbetet kryesisht i padokumentuar zyrtarisht dhe i vështirë për t’u monitoruar nga autoritetet.[1] Gjithashtu, në disa bare dhe restorante në vend vazhdojnë të ekspozohen trofe të specieve të rralla të shpendëve dhe kafshëve të egra (si macja e egër, kunadhja dhe vjedulla) ose të mbahen kafshë në robëri, në shkelje të standardeve të mbrojtjes së biodiversitetit…
Në disa raste ne thamë më sipër që nuk ka gjetje, nuk ka ndëshkueshmëri, por ka një ligj të mirëfilltë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, që i rregullon, parandalon dhe minimizon të gjitha këto fenomene që, nëse vazhdojnë në këto statistika dhe në këtë mënyrë trajtimi, rrezikojmë të mbetemi pa puje, pa kafshë, dhe akoma më e mundur, të mbetemi pa llojet endemike, për të cilat krenohemi.
Analiza e të dhënave administrative të institucioneve ligjzbatuese tregon se niveli i ndëshkueshmërisë për krimet mjedisore mbetet shumë i ulët në praktikë. Në veçanti:
- mbi 70% e procedimeve penale për krime mjedisore nuk arrijnë në fazën e gjykimit;
- vetëm rreth 33% e rasteve të referuara nga Policia e Shtetit regjistrohen formalisht nga Prokuroria;
- mbi 90% e shkeljeve mjedisore të konstatuara trajtohen si kundërvajtje administrative dhe jo si vepra penale;
- vetëm 11.4% e gjobave të vendosura për shkelje mjedisore arrijnë të mblidhen në praktikë.
[1] Organizata ndërkombëtare (2024). The commercial wildlife trade in Albania is still out of control. FOUR PAWS International.
https://www.journalismfund.eu/big-cats-balkan-underworlds-new-status-symbols?utm_

Këto tregues dëshmojnë për një efektivitet shumë të kufizuar të sistemit ndëshkues dhe krijojnë një klimë pandëshkueshmërie që nxit vazhdimin e krimeve mjedisore. Raportet e vlerësimit për zbatimin e moratoriumit të gjuetisë tregojnë gjithashtu një rënie të ndjeshme në numrin e rasteve të kapura zyrtarisht. Për shembull, numri i rasteve të dokumentuara të gjuetisë së paligjshme ra nga 19 në vitin 2018 në vetëm 4 raste në vitin 2020, sipas raporteve të inspektimit të gjuetisë dhe Këshillit Kombëtar për Faunën e Egër. Kjo ulje e rasteve të kapura nuk nënkupton domosdoshmërisht ulje reale të paligjshmërisë, por më shumë pasqyron dobësi në kapacitetet e monitorimit, raportimit, hetimit dhe ndëshkimit nga institucionet përgjegjëse..
Në fund të këtij artikulli, me të dhëna të detajuara, të cilat duhet të shërbejnë si një këmbanë për përmirësim, le të bëjmë edhe një analizë të përgjithshme mbi gjetjet.
Krimet mjedisore në Shqipëri lidhen ngushtë me mungesën e harmonizimit të informacionit zyrtar, boshllëqet në kuadrin ligjor dhe kapacitetet e pamjaftueshme monitoruese e kontrolluese në terren. Këta faktorë krijojnë një mjedis ku shkeljet mjedisore mund të vazhdojnë me rrezik të ulët ndëshkimi. Në disa raste ekzistojnë indicie se raportimi institucional i dëmeve mjedisore nuk është i plotë, çka mund të ulë dukshmërinë publike të krimeve mjedisore dhe të zvogëlojë presionin për llogaridhënie. Kjo situatë rëndohet më tej nga kapacitetet e kufizuara profesionale dhe teknike të një pjese të bashkive dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për administrimin e territorit dhe menaxhimin e pyjeve. Mospërputhja e qëndrueshme midis raportimeve kombëtare dhe sistemit evropian EFFIS për sipërfaqet e djegura e thellon këtë problem, pasi politikat e parandalimit të zjarreve, planifikimi i menaxhimit të pyjeve dhe alokimi i burimeve financiare mbështeten në të dhëna të paplota ose të nënvlerësuara. Kjo rrezikon të prodhojë vendimmarrje që nuk pasqyron shkallën reale të dëmit mjedisor në vend…
E patjetër, të japim edhe rekomandimet e nevojshme:
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se mbrojtja e mjedisit në Shqipëri kërkon ndërhyrje të koordinuara institucionale dhe reforma të thella në monitorim, zbatim ligjor dhe transparencë publike. Në veçanti rekomandohet:
- Integrimi sistematik i të dhënave EFFIS në raportimin kombëtar për zjarret në pyje nga AKMC dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pyjeve, duke unifikuar metodologjitë e vlerësimit të sipërfaqeve të djegura.
- Forcimi i kontrollit dhe menaxhimit të territorit, përmes inspektimeve më të shpeshta në zonat me risk të lartë, përdorimit të teknologjive të monitorimit (dronë dhe imazhe satelitore) dhe rritjes së kapaciteteve të stafit vendor.
- Zbatimi efektiv i ndëshkimeve penale për prerjet e paligjshme, zjarrvënien e qëllimshme dhe tregtinë e specieve të mbrojtura, duke reduktuar praktikën e rikualifikimit të veprave penale si kundërvajtje administrative.
- Rritja e transparencës institucionale, përmes publikimit të rregullt të të dhënave mbi zjarret, prerjet e paligjshme dhe procedimet penale, si dhe krijimit të databazave publike të aksesueshme.
- Përfshirja aktive e shoqërisë civile dhe medias në monitorimin e krimeve mjedisore, denoncimin e rasteve problematike dhe konsultimin në hartimin e politikave mjedisore.
Pa zbatimin e këtyre masave, degradimi i ekosistemeve pyjore dhe humbja e biodiversitetit do të vazhdojë, me pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme për brezat e ardhshëm.
*SHËNIME: Të dhënat statistikore të këtij artikulli janë të mbështetura në burime zyrtare të institucioneve shqiptare që lidhen drejtpërdrejt me të tre veprat penale që renditen në këtë artikull shkencor. Gjithashtu ka të dhëna që janë marrë nga raporte dhe agjensi ndërkombëtare, të cilësuara si të besuara. Artikulli është bazuar në të dhëna reale dhe nuk ka asnjë përmbajtje censuruese apo ndryshim të pasqyrave të të dhënave në interes të palëve të treta. Artikulli është përpunuar në mënyrë të detajuar nga gazetarja si edhe nga ana e eskpertit të mjedisit.
*Ky material është krijuar nga projekti GreenAL, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fonde nga Qeveria Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.