Kthimi i Artemis II në Tokë është faza më e rrezikshme e misionit, si do të ndodhë

Mëngjesin e hershëm të së shtunës, më 11 prill, pritet të përmbyllet me sukses një nga misionet më të guximshme në historinë e udhëtimeve hapësinore, kur anija Orion të rikthehet në Tokë rreth orës 03:07. Kjo fazë e fundit e misionit Artemis II konsiderohet më e rrezikshmja, pasi përfshin hyrjen në atmosferën e Tokës dhe përballjen me temperatura ekstreme.
Gjatë rikthimit, kapsula Orion do të udhëtojë me një shpejtësi rreth 40,000 km/orë, duke përjetuar temperatura deri në 2,760 gradë Celsius për shkak të fërkimit me atmosferën. Mbrojtja e astronautëve varet nga mburoja termike Avcoat, e cila është projektuar të shpërbëhet gradualisht për të larguar nxehtësinë dhe për të ruajtur integritetin e kapsulës.
Megjithatë, testet e mëparshme të kryera nga NASA në vitin 2022 ngritën shqetësime, pasi disa pjesë të mburojës u shkëputën në mënyrë të paparashikuar. Kjo detyroi inxhinierët të bëjnë përmirësime dhe ndryshime në strukturë, por mbetet fakti se sistemi i ri nuk është provuar plotësisht në kushte reale.
Për të minimizuar rrezikun, NASA ka ndryshuar trajektoren e hyrjes në atmosferë, duke reduktuar kohën e ekspozimit ndaj nxehtësisë ekstreme. Ndërkohë, kapsula pritet të ulet në Oqeanin Paqësor, rreth 100 km nga brigjet e Kalifornisë, ku ekipe të specializuara do të jenë gati për të shpëtuar astronautët dhe për t’i transportuar në një anije ushtarake.
Pas kthimit, katër astronautët do të vendosen në karantinë dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore për disa ditë, derisa të rikuperohen plotësisht nga kushtet e hapësirës. Ky mision historik pritet të shënojë një hap të madh në eksplorimin e Hënës, pavarësisht skepticizmit që mund të shfaqet nga teoritë konspirative.
/vizionplus.tv