Shumë njerëz kalojnë disa orë në ditë duke përdorur kufje, qoftë për të dëgjuar muzikë, podkaste apo për të folur në telefon. Një studim i vitit 2017 tregoi se përdoruesit i përdorin kufjet mesatarisht 47–88 orë në muaj. Këshillat shëndetësore zakonisht fokusohen te volumi dhe dëmtimi i dëgjimit, ku World Health Organization rekomandon që volumi të mbahet nën 60% të maksimumit të pajisjes. Por përveç zërit, përdorimi i kufjeve ndikon edhe në shëndetin e kanalit të veshit.
Kufjet mbi veshë mbulojnë veshin e jashtëm, ndërsa ato brenda veshëve bllokojnë hyrjen e kanalit të veshit, duke e vënë lëkurën në kontakt të drejtpërdrejtë me papastërti dhe baktere. Kanali i veshit ka një mekanizëm natyror vetëpastrimi përmes dyllit të veshit dhe qimeve të imta, të cilat ndihmojnë në largimin e grimcave, lëkurës së vdekur dhe mikroorganizmave. Kur ky dyll grumbullohet në sasi të mëdha, mund të pengojë dëgjimin ose të bllokojë kufjet, por nuk duhet hequr me mjete të forta pa këshillë mjekësore.
Studime të fundit kanë treguar se përdorimi i zgjatur i pajisjeve brenda veshit mund të prishë ekuilibrin e baktereve “të mira” në vesh. Një studim i vitit 2024 zbuloi se personat që përdorin aparate dëgjimi kishin më pak lloje bakteresh në kanalin e veshit, ndërsa një studim i vitit 2025 e lidhi përdorimin e kufjeve me rrezik më të lartë infeksionesh, sidomos kur ato ndahen me të tjerët. Arsyeja kryesore është rritja e lagështisë dhe temperaturës, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik.
Për të ruajtur shëndetin e veshëve, rekomandohet të bëni pushime të rregullta nga kufjet dhe t’i lini veshët të “marrin frymë”. Kufjet me përçim kockor janë një alternativë, pasi nuk bllokojnë kanalin e veshit, por edhe ato duhet përdorur me kujdes për sa i përket volumit. Gjithashtu, pastroni rregullisht kufjet, shmangni përdorimin kur jeni të sëmurë dhe kërkoni ndihmë mjekësore nëse shfaqen kruarje, skuqje ose sekrecione.
The post Kufjet mund të rrisin rrezikun për infeksione të veshëve first appeared on Geek Room.