Kullat e veriut dokumentohen për herë të parë në një hartë digjitale

Kullat karakteristike të veriut të Shqipërisë po dokumentohen për herë të parë në një hartë të përbashkët digjitale, në kuadër të procesit për hartimin e Programit Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bëri të ditur se është përmbyllur një fazë e rëndësishme e këtij procesi, pas disa muajsh pune në terren, organizimit të seminareve rajonale dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetet lokale.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 13 bashki në 4 qarqe të vendit janë paraqitur rreth 450 aplikime, të cilat kanë shërbyer për krijimin e hartës digjitale të kullave, një bazë e rëndësishme për dokumentimin dhe identifikimin e këtij elementi të trashëgimisë kulturore.

Ministria thekson se ky proces përbën një hap të parë drejt ndërtimit të një qasjeje të qëndrueshme për rijetëzimin e kullave tradicionale, duke i lidhur ato me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit rural dhe fuqizimin e komuniteteve lokale.

Rezultatet e kësaj faze do të analizohen më tej nga institucionet përkatëse dhe do të shërbejnë si bazë për hartimin e Programit Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave, i cili synon të rikthejë në vëmendje dhe funksion këto ndërtesa historike të veriut shqiptar.

Në shumë zona të veriut, kullat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të arkitekturës tradicionale dhe të historisë së komuniteteve malore, duke qenë njëkohësisht edhe një potencial i madh për zhvillimin e turizmit kulturor.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *