
Votimi në Kuvend për të rrëzuar kërkesën e SPAK për imunitetin e deputetes Belinda Balluku ishte tema e diskutimit këtë të enjte në studion e emisionit Quo Vadis, të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, tha se qëndrimi i socialistëve ishte i pritshëm. I pyetur nga moderatorja Borakaj se përse PD zgjodhi të mos reagojë fort, por lejoi një seancë normale dhe pa përplasje, Muçollari tha se qëllimi ishte të nxirrnin “Mbretin Lakuriq” para ndërkombëtarëve.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Pse u mendua kjo strategji sot?
Muçollari: Asgjë nuk ishte e çuditshme në mbrojtjen që bëri qeveria dhe Rama ndaj Ballukut. Ky lajm duhet të shqetësojë gjithë shoqërinë. Ishte një situatë e paralajmëruar që nuk e çudit më shoqërinë. Ka pasur diskutime edhe në Kryesi se si duhet të silleshim, pasi indiciet ishin se kjo do të ndodhte. Shumica e deputetëve, në këtë rast, menduan se duhet të flasim me argumente dhe ta lejojmë seancën të zhvillohet. Në një mënyrë apo në një tjetër, synimi ishte të nxirrnim “Mbretin Lakuriq”. Kjo ishte një strategji shumë e mirë. E parë në dy dimensione: si ndikon në perspektivën europiane të Shqipërisë dhe, përtej kësaj, mungesa e një shoqërie të drejtë. Nëse kemi pasur shpresë për një shoqëri që e ndan të drejtën nga e gabuara.
