Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për Ballukun, Hasimja: Disa nga ata që votuan kundër, sot i vret ndërgjegja

Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, komentoi votimin e socialistëve me 82 vota kundër, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Ai tha se ky ishte një qëndrim i pritshëm dhe se socialistët sot u mblodhën sërish rreth partisë.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: 82 vota kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut. U dukën në këto ditët e fundit socialistët shumë të interesuar për të ruajtur prezumimin e pafajësisë.

Hasimja: Natyrisht që jo. Nëse do të kishte dilemë aty brenda, nuk do të ishte harta e votimit kështu; do të kishte pasur një reflektim.

Borakaj: Çfarë e detyroi mazhorancën të ndryshonte qasje?

Hasimja: Të gjithë u grupbashkuan rreth partisë. Unë mendoj që një pjesë e atyre që votuan për mosheqjen e imunitetit sot i ka vrarë shumë ndërgjegjja.

Borakaj: Keni pasur komunikim?

Hasimja: Komunikim kemi gjatë gjithë kohës. Po të ulesh me secilin prej tyre, secili do të ankohet për qeverisjen, pastaj në sallë është çështje uniteti partiak. Te dosja voluminoze kishte dy elemente: te pjesa e parë nuk merreshin dot dokumentet sepse zonja Balluku ishte ministre, por nuk funksionon kështu. Ne e dimë se si funksionon organi i akuzës, i cili ngre themelet për të marrë provat. Nëse pengohet marrja e provave, atëherë kalohet në akuzë. Edhe pjesa e përgjimeve linte për të dëshiruar. Kemi intimidim dhe personazhe të fortë, por pse nuk u arrestuan?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *