Versioni $100 i GTA 6 po shitet më tepër se versioni bazë
Grand Theft Auto 6 pritet të publikohet në muajin nëntor dhe gjithçka tregon se do të jetë prezantimi më i madh i industrisë së videolojërave në vitet e fundit. Edhe pse Rockstar dhe Take-Two janë përballur me kritika për rritjen e çmimit dhe fokusimin tek versionet dixhitale, të dhënat e para të porosive tregojnë se strategjia e tyre po funksionon.
Sipas një raporti të Tweaktown, i cili analizoi listat publike të PlayStation Store në disa vende, versioni Ultimate Edition, me çmim 100 dollarë, është aktualisht loja më e porositur në nëntë tregje të rëndësishme, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Japoninë.

Versioni standard i GTA 6 kushton 80 dollarë, ndërsa edicioni Ultimate shton përmbajtje ekskluzive si aksese në dyqane brenda lojës, skine armësh, garazhe dhe artikuj të tjerë që nuk ofrohen për blerësit e versionit bazë. Pikërisht kjo diferencë ka nxitur debat në komunitet, ku shumë lojtarë argumentojnë se versioni më i shtrenjtë përfaqëson “eksperiencën e plotë” të lojës.
Megjithatë, sjellja e konsumatorëve tregon një histori tjetër. Analisti Daniel Ahmad nga Niko Partners thekson se rritja e të ardhurave në tregun e konsolave nuk po vjen nga rritja e numrit të lojtarëve, por nga shpenzimet më të larta të atyre ekzistues. Sipas tij, edicionet premium, abonimet më të shtrenjta dhe përmbajtjet shtesë janë bërë gjithnjë e më tërheqëse për publikun.
Tweaktown vëren se e njëjta prirje po shfaqet edhe te lojëra të tjera të ardhshme, ku edicionet më të kushtueshme po tejkalojnë versionet standarde në para-porosi.
The post Versioni $100 i GTA 6 po shitet më tepër se versioni bazë first appeared on Geek Room.