Lufta në Lindjen e Mesme, Çuko: Nuk do të ketë paqe! Shqipëria duhet të rrisë kapacitetet mbrojtëse

Ish-ushtaraku Arben Çuko, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, komentoi shqetësimet lidhur me sigurinë e kampit Ashraf 3 dhe sulmet kibernetike nga Irani.

Sipas Çukos, mungesa e lëvizjes së muxhahedinëve drejt zyrave të aplikimit nuk tregojnë një kërcënim të drejtpërdrejtë fizik.

Sa i përket rrezikut kibernetik, ai u shpreh se ka ekzistuar gjithmonë, por sulmet ndaj institucioneve shqiptare, si ato të fundit ndaj Kuvendit, nuk duhet të shihen si kërcënim i menjëhershëm fizik.

Megjithatë, Çuko theksoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë për pasojat e mundshme të konflikteve ndërkombëtare.

Çuko theksoi se diskutimet për sigurinë bëhen në kuadër të Aleancës NATO, por sipas tij rritja e kapaciteteve kombëtare mbetet një prioritet për të garantuar mbrojtjen e vendit.

Ish-ushtaraku tha gjithashtu se në Lindjen e Mesme nuk do të ketë paqe.

INTERVISTA E PLOTË:

Fakti që punonjësit e ‘Identitek’ shkojnë te Shraf 3 (kampi i muxhahedinëve) dhe nuk shkojnë muxhahedinët në zyrat e aplikimit në Tiranë apo diku tjetër, a tregon që ka një kërcënim për sigurinë nga ana e Iranit? Dhe nëse po, sa është ky rrezik i pranishëm në Shqipëri në kuadrin e luftës që po ndodh?

Arben Çuko: Kërcënimi për sigurinë nga ana e Iranit ndaj atij kampi, pra ndaj nesh, është pjesë e luftës psikologjike që ndërmerr regjimi ndaj tyre dhe ndaj nesh. Unë mendoj që nuk ka asnjë rrezik për atë kamp atje dhe, kuptohet, as për ne, sepse në radhë të parë kapacitetin e lëshimit të raketave me rreze të gjatë ne nuk e dimë saktësisht. Ai kamp atje nuk është objektiv strategjik që iranianët të harxhojnë raketat e tyre kundër këtyre njerëzve.

Para dy ditësh Kuvendi i Shqipërisë u godit nga hakerat dhe pas grupit ‘Homeland Justice’ besohet se janë iranianët, apo jo?

Arben Çuko: Rreziku kibernetik ka ekzistuar gjithmonë si pjesë e kësaj lufte psikologjike. Edhe jashtë zonës së konflikteve, edhe në kohë paqeje, rreziku kibernetik ka ekzistuar. Unë po flas për një rrezik të caktuar fizik që është diskutuar gjatë këtyre ditëve në mediat tona dhe që përhapi një lloj paniku. Nuk ka asnjë lloj arsyeje për të besuar se Irani do ta bëjë këtë, Irani ka halle shumë të mëdha. Udhëheqja e Iranit nuk di ku të fusë kokën tashmë, sepse është nën goditje të vazhdueshme, ditë e natë, nga aviacioni amerikan dhe izraelit.

Megjithatë, kemi parë raketa iraniane që kanë goditur edhe Turqinë, por të paktën janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore e NATO-s. A mund të presim një zgjerim të hartës së luftës në këtë pikëpamje?

Arben Çuko: Këtu duhet të diskutojmë për zgjerimin e këtij konflikti në përmasa shumë më të mëdha sesa rajoni i Lindjes së Mesme. Duhet të diskutojmë për efektet negative që sjell kjo luftë në këtë faze, efektet ekonomike negative jo vetëm për botën, por edhe për ne. Mbi të gjitha, duhet të diskutojmë për rritjen e kapaciteteve tona dhe për ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë sonë. Gjendja politiko-shoqërore dhe rendi botëror tashmë janë shkatërruar dhe situata nuk do të vijë në përmirësim. Sipas mendimit tim, nuk do të ketë paqe siç jemi mësuar pas Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për këtë duhet përgatitur opinioni ynë shoqëror. Shteti dhe qeveria shqiptare i kanë marrë masat, por unë mendoj se duhet të nxitohet për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse.

Po kërkoni, me fjalë të tjera, një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të diskutuar më gjerësisht në këto kushte?

Arben Çuko: Diskutimet për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe fuqisë ushtarake bëhen në kuadrin e Aleancës, pasi ne jemi pjesë e aleancës më të madhe ushtarake dhe politike në botë. Por unë mendoj që fuqia ushtarake dhe kapacitetet operacionale të Shqipërisë duhet të rriten me shpejtësi edhe më të madhe. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillues që udhëhiqet nga Presidenti i Republikës. Qeveria shqiptare është organi ynë kushtetues që ka për detyrë mbrojtjen e vendit. Mbrojtja e vendit ka të bëjë, në radhë të parë, me rritjen e fuqisë ushtarake dhe kapaciteteve tona operacionale mbrojtëse. Hapi i parë që duhet bërë, në këndvështrimin tim si ushtarak, është rritja e kapaciteteve tona kundërajrore.

/vizionplus.tv

By E B

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *