Meta do të lejojë fëmijët nën 13 vjec të përdorin WhatsApp përmes llogarive të menaxhuara nga prindërit

Meta ka prezantuar llogaritë e menaxhuara nga prindërit në WhatsApp, një risi e krijuar për t’u mundësuar fëmijëve nën moshën 13 vjeç përdorimin e aplikacionit të mesazheve në mënyrë më të sigurt. Këto llogari ofrojnë kontrolle të reja që i lejojnë prindërit ose kujdestarët të kufizojnë se kush mund t’u dërgojë mesazhe fëmijëve dhe cilat grupe mund të bashkohen. Funksionaliteti i tyre është i kufizuar vetëm në mesazhe dhe thirrje, duke përjashtuar veçori si Channels, ndarja e vendndodhjes dhe integrimi i Meta AI.

Për të aktivizuar një llogari të tillë, prindi duhet të vendosë telefonin e tij pranë pajisjes së fëmijës për të lidhur dy llogaritë. Pasi lidhja të përfundojë, prindi mund të vendosë rregulla të qarta kontakti dhe pjesëmarrjeje në grupe. Mesazhet nga kontakte të panjohura shfaqen fillimisht si kërkesa dhe çdo ndryshim në cilësimet e privatësisë mund të bëhet vetëm nga pajisja e prindit. Llogaritë janë të mbrojtura me PIN dhe vetëm prindi ose kujdestari ka të drejtë të modifikojë cilësimet.

Ashtu si çdo bisedë tjetër në WhatsApp, edhe këto llogari mbrohen nga enkriptimi fund-më-fund, duke garantuar që askush tjetër nuk mund të shohë përmbajtjen e mesazheve. Si parazgjedhje, vetëm kontaktet e ruajtura mund të dërgojnë mesazhe dhe çdo ftesë grupi nga persona të panjohur kërkon miratim të veçantë nga prindi.

Meta thekson se këto veçori do të shpërndahen gradualisht në muajt në vijim. Iniciativa është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e kontrolleve prindërore në platformat e saj, përfshirë llogaritë për adoleshentë në Facebook dhe Messenger, si dhe kufizimet e rrepta të privatësisë për të miturit në Instagram.

The post Meta do të lejojë fëmijët nën 13 vjec të përdorin WhatsApp përmes llogarive të menaxhuara nga prindërit first appeared on Geek Room.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *