Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës është pasuruar me një tjetër sit të rëndësishëm historik.
Sipas tij, bëhet fjalë për qytetin antik në Bushat, për të cilin është përcaktuar së fundmi në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale zonifikimi dhe rregullorja për ruajtjen dhe administrimin e zonës arkeologjike “A”.
Gërmimet arkeologjike në këtë zonë kanë nisur që në vitin 2018 nga një mision i përbashkët shqiptaro-polak dhe po nxjerrin në dritë gjurmë dhe të dhëna të reja mbi këtë qendër të rëndësishme ilire.
Deri më tani janë zbuluar dy porta hyrëse të qytetit, duke bërë të mundur kuptimin më të qartë të shtrirjes së tij. Ndërkohë, gërmimet e fundit janë përqendruar në pjesën e qytetit të sipërm, me synim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së kësaj qendre antike.
Rezultatet paraprake tregojnë se kjo pjesë e qytetit të sipërm është ndërtuar në mënyrë masive në gjysmën e shekullit IV para erës sonë, duke konfirmuar rëndësinë historike të këtij vendbanimi në historinë e rajonit të Shkodrës.
