Ndryshimet klimatike dhe bujqësia: Një krizë që po thellohet në heshtje

0

Bashkëautorë:

Ermelinda Ndoja, gazetare

Endri Haxhiraj, ekspert

ABSTRAKT

Ky artikull, i bazuar në gazetarinë shkencore dhe bashkëautorësi mes ekspertëve të medias dhe mjedisit, shqyrton ndikimin e ndryshimeve klimatike në prodhimin bujqësor në Shqipëri. Ndryshimet klimatike kanë bërë që temperaturat të rriten, reshjet të jenë më të pakta por intensive dhe fenomenet ekstreme të përmbytjeve, breshërit dhe valëve të nxehtësisë të jenë më të shpeshta. Këto faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në rendimentin e kulturave dhe shëndetin e kafshëve, ndërsa rritin rrezikun nga insektet dhe sëmundjet e reja. Pasojat socio-ekonomike përfshijnë ulje të të ardhurave të fermerëve, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe migrim të të rinjve nga zonat rurale.

Bujar Calin e takuam ndërsa çapitej dherave të tharë të tokës së tij. Aty ku e gjelbra duhet të ishte dominuese, gjithçka ka veç ngjyrën e tokës në dukje të papunuar. Disa filiza në tokë janë shenjat e fundit të rreshtave me qepë, që sot, fermeri duhet të ishte duke i shitur.

Në foto fermeri Bujar Cali

“Prodhimi që prisja u prish. Thatësira e madhe dhe e tejzgjatur na ka detyruar ne si fermerë, të heqim dorë nga mbjellja e shumë bimëve, si sallaturinat apo spinaqin. Tani zgjedhim të mbjellim bimë që rezistojnë më shumë, pasi nuk kemi as sistem vaditës. Po ashtu edhe mbjellja e grurit është spostuar si periudhë, pasi mungonin reshjet në nëntor nga thatësira e tepërt… – na tregon ai me sy të përhumbur, aty, ku duhet të ishin frytet e punës disa mujore.

Në foto toka e mbjellë nga fermeri Bujar Cali me qepë, por nga shirat e shumtë, bimësia është dëmtuar

“Nga reshjet e shiut, – vazhdon – sidomos këtë vit, jemi detyruar të shtyjmë mbjelljen e shumë prodhimeve. Reduktimi i të mbjellave ka ardhur si pasojë e kalbjes dhe ndotjes së tokës – pohon jo pa dëshpërim Bujari”


Në foto fermeri Bujar Cali

Çfarë po ndodh me kushtet atmosferike

Ndryshimet klimatike nuk janë më një parashikim për të ardhmen, por një realitet i përditshëm që po godet drejtpërdrejt sektorin e bujqësisë në Shqipëri. Temperaturat në rritje, thatësirat e zgjatura dhe fenomenet ekstreme klimatike po vënë në rrezik prodhimin bujqësor, jetesën e fermerëve dhe sigurinë ushqimore. Në zonat rurale, pasojat ndihen çdo sezon, ndërsa reagimi institucional shpesh mbetet i pamjaftueshëm.

Sipas raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare, pritet që temperaturat në Shqipëri të rriten me 1.5 gradë Celsius deri në vitin 2050, shumë më tepër se norma 0.5 gradë celcius të vëzhguar në vend gjatë 50 viteve të fundit. Gjithashtu, ndryshimet në reshjet vjetore kanë rritur shpeshtësinë dhe pwrmasat e përmbytjeve në vend, ndërkohë që shirat duket se kanë filluar të jenë më të rrallë por mw intensive*.

Pasojat e mundshme ekonomike të ndryshimeve klimatike të pakontrolluara, po nxjerrin edhe njëherë në pah se pa politika zbutëse, një rritje vjetore e temperaturës globale prej 0.04°C (bazuar në RCP 8.5) mund të çojë në ulje të konsiderueshme të PBB-së globale për frymë, veçanërisht në Shqipërinë që përballet me një rënie të mundshme deri në 9%*.  

*https://www.worldbank.org/sq/news/press-release/2013/04/04/new-world-bank-book-offers-recommendations-on-responding-to-climate-change-in-albania-agriculture-sector

https://hub.unido.org/sites/default/files/publications/Climate%20Change%20Report_FINAL_WEB_compressed.pdf

Pasojat me të cilat po përballet bujqësia për shkak të ndryshimeve klimatike

Ndryshimet e ardhshme klimatike në Shqipëri pritet të kenë efekte të konsiderueshme në prodhimin e kulturave bujqësore. Veçanërisht në zonat fushore, parashikohet që rendimenti i misrit të ulet me 17% dhe rendimenti i domateve dhe shalqirit të bjerë me 6-11%. Në zonat bujqësore me mundësi të kufizuara vaditjeje ose me mungesë të plotë vaditjeje, pritet që rendimenti i jonxhës të ulet me 6%, rendimenti i rrushit me 17-23%, rendimenti i ullinjve me 11- 20%, ndërsa rendimenti i grurit pritet të rritet me 4-5%*.

Risqet që i kanosen sektorit të kulturave bujqësore sipas agjensisë së mjedisit janë:

-Rritje e rrezikut të thatësirës dhe mungesës së ujit

-Rritje e kërkesës për ujitje

-Rritje e rrezikut në bujqësi nga insektet e dëmshme, sëmundjet dhe barërat e këqija (sasia e përdorur e pesticideve është rritur ndjeshëm, çfarë tregon rritje të nivelit të infeksioneve dhe zonave të trajtuara për të eliminuar sëmundjet dhe insektet e dëmshme).

Nëse analizojmë strukturën e prodhimit gjatë dhjetë viteve të fundit, do të konstatojmë se sipërfaqja e kultivuar me grurë është ulur me rreth 22%, ndërsa prodhimi ka rënë me 13%.

Gjithashtu vlen të përmenden përmbytjet masive, çdo 3-4 vjet (përmbytjet kanë shkaktuar humbjen e rreth 10 000 ha grurë, 15 000 ha foragjere, 1000 ha pemë frutore dhe mbi 1500 ha vreshta). Dëmtimi më i madh ka ndodhur në verilindje (rajonet e Shkodrës dhe Lezhës)

Ndryshimet e temperaturave dhe modeleve të reshjeve mund të ulin rendimentin e kulturave bujqësore, ndërkohë që degradimi i tokës dhe rritja e kërkesës për ujitje paraqesin sfida shtesë. Kullotat, pyjet, burimet gjenetike, llojet dhe racat, toka dhe pjelloria e saj, burimet ujore dhe produktiviteti i tyre janë të gjitha nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ndryshimeve klimatike. Rritja e temperaturave, ulja e reshjeve, ndryshimi i regjimit të reshjeve, depërtimi i ujit të detit / kripëzimi i akuiferëve bregdetare, ngjarjet ekstreme të motit, si dhe fenomenet e lidhura, si zjarret në pyje, përmbytjet, thatësirat dhe kripëzimi, infektimet dhe sëmundjet e reja që shfaqen si rezultat i kushteve të ndryshuara klimatike, të gjitha ndikojnë në bujqësi93. Risqet aktuale dhe Risqet e ardhshme në bujqësi, siç janë vlerësuar në VRK për Zonat e ndryshme Agro-Ekologjike (ZAE) dhe nënsektorët përkatës, janë vlerësuar si më poshtë:

*https://akm.gov.al/wp-content/uploads/2025/08/RGJM-2024-AKM-15.08.2025-3.pdf

Risqet klimatike aktuale dhe të ardhshme në sektorin e bujqësisë

*TË DHËNAT:

Vlerësimi i riskut klimatik në sektorin e bujqësisë: Mbështetje për plotësimin e mangësive në të dhënat dhe analizat e riskut të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Hartuar në kuadër të Projektit të UNDP-së për PKP-në. 2024

https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_897_Dokumenti-NAP-Revised_26.11.2025-(1).pdf

Përmbledhje e ndryshimeve klimatike të vëzhguara dhe të parashikuara në Shqipëri*

Skenari më i mirë: Parashikimet e SPS1-1.9 deri në vitin 2030; Skenari më i keq: SPS5-8.5 deri në vitin 2050.

*https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_897_Dokumenti-NAP-Revised_26.11.2025-(1).pdf ( Faqe 45 )

Prodhimi bujqësor nën presion të vazhdueshëm

Fermerët raportojnë se rendimenti i kulturave bujqësore ka pësuar rënie të ndjeshme vitet e fundit. Thatësirat e shpeshta kanë reduktuar ndjeshëm sasinë e ujit për ujitje, duke dëmtuar kulturat bazë si gruri, misri dhe perimet. Në shumë zona, reshjet nuk ndjekin më ciklet tradicionale, gjë që e bën të vështirë planifikimin e mbjelljeve.

Përmbytjet, breshëri dhe valët e të nxehtit po shfaqen gjithnjë e më shpesh. Këto fenomene nuk shkaktojnë vetëm humbje të menjëhershme të të korrave, por edhe degradim të tokës bujqësore. Erozioni dhe humbja e pjellorisë e bëjnë tokën më pak të përdorshme në afatgjatë, duke e futur bujqësinë në një cikël krizash të vazhdueshme.

Eksperti mjedisor Endri Haxhiraj theksonse sipas studimeve, pasojat në prodhimin e 10 viteve të fundit janë të shumta. “Do përballemi me ulje të sipërfaqjes së kultivuar me grurë me rreth 22%, ndërsa prodhimi ka rënë që tani me 13%. Përmbytje masive, çdo 3-4 vjet (përmbytjet kanë shkaktuar humbjen e rreth 10 000 ha grurë, 15 000 ha foragjere, 1000 ha pemë frutore dhe mbi 1500 ha vreshta). Dëmtimin më të madh nga përmbytjet e kemi në verilindje (Shkodër dhe Lezhë)” – thekson Haxhiraj.  

Pasojat në blegtori të favorizuara nga ndryshimet klimatike

Vlerësohet se ndryshimet klimatike kanë dy aspekte ndikimi tek kafshët: ndikim të drejtëpërdrejtë në shëndetin e tyre dhe të tërthortë psh nga mungesa e ushqimit dhe ujit dhe përhapja e vektorëve sëmundje shkaktues.

Një prej pasojave më të ndjeshme është rreziku i zhdukjes së racave të dhive. Haxhiraj pohon: “10 nga 17 raca janë në rrezik. Po ashtu në zonat e lartësisë mesatare të vendit, studimet tregojnë se prodhimi i jonxhës që shërben si ushqim për kafshë do të ulet 2-6%”.

Ndryshimet klimatike dëmtojnë bujqësinë duke favorizuar insektet e dëmshme

“Ndryshimet klimatike sidomos përjetimi i një moti më të ngrohtë e temperatura të larta më të zgjatura në kohë, i kanë favorizuar insektet veçanërisht ato dëmtuese. Ato kanë shtuar riprodhimin dhe kanë zgjeruar rrezen gjeografike të mbijetesës edhe në rajone që më parë kanë qenë më të ftohta. Tashmë janë kthyer në një rrezik të ndjeshëm për të mbjellat pa shumë dallime territoriale” – na tregon eksperti Endri Haxhiraj.

Speciet pushtuese: Shqipëria ka parë futjen e disa specieve të reja pushtuese të insekteve

Krimbi i vjeshtës (spodoptera frugiperda)

Krimbi i vjeshtës (spodoptera frugiperda) është një dëmtues pushtues, përhapja e shpejtë e të cilit në nivel global është lidhur me ndryshimet klimatike. Ai wshtw konfirmuar në vende si Qiproja, Greqia, Portugalia dhe Rumania, e po ashtu edhe në Shqipëri, duke kërcënuar kulturat si misri, orizi dhe perimet.

(Nezara viridula)

I njohur si insekti që mban erë (Nezara viridula), ka filluar të aktivizojë sezonin e rritjes më herët në dimrat më të ngrohtë dhe për pasojë të shkaktojnë dëme më të konsiderueshme në të mbjella. Ushqehet me fara, fruta dhe kërcej, të cilat mund të ulin rendimentin dhe cilësinë. Strategjitë e menaxhimit mbështeten kryesisht në insekticide, por këto mund të jenë të vështira për t’u integruar me metoda të tjera dhe mund të çojnë në rezistencë.

Nezara viridula, është një dëmtues në rritje në bujqësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në të korra si domate, kastraveca, patëllxhanë dhe pemë frutore. Është një specie shumë polifage dhe pushtuese që ushqehet me të gjitha pjesët ajrore të bimëve, duke çuar në dëmtime të drejtpërdrejta fizike dhe humbje indirekte të cilësisë së frutave.


Psilidet e patates

Po ashtu edhe psilidet e patates dhe domates janë favorizuar nga ndryshimet klimatike. Psilidet janë dëmtues bujqësorë, që dëmtojnë të korrat duke thithur lëngun e bimëve, gjë që mund të shkaktojë zverdhje, rritje të ngadaltë dhe tharje. Ato sekretojnë një substancë ngjitëse të quajtur mjaltë, e cila nxit rritjen e mykut të blozës, dhe disa specie sekretojnë masa dylli.


Karkaleci

Karkalecat konsiderohen dëmtues, të cilët dëmtojnë të korrat duke konsumuar fidanë dhe bimë të tjera. Ato mund të jenë një problem i rëndësishëm për shkak të grumbullimit në tufa. Tufat e karkalecave mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në bujqësi në një periudhë të shkurtër kohore. Karkalecat mund të dëmtojnë të korrat duke ngrënë fidanë dhe bimë të tjera, duke çuar në humbje ekonomike për fermerët.


Trialeurodes vaporariorum

Trialeurodes vaporariorum, ose miza e bardhë e serrave, është një dëmtues që është vendosur në Evropë, veçanërisht në serra dhe rajone më të ngrohta. Është një specie pushtuese që nuk është vendase në Evropë dhe është një dëmtues i rëndësishëm për kulturat si domatet, patatet dhe bimët zbukuruese, duke u ushqyer me lëngjet e bimëve dhe duke transmetuar viruse. Dëmtuesi dëmton bimët duke u ushqyer me lëng, i cili i dobëson ato, dhe duke nxjerrë lëndë që nxit rritjen e mykut me blozë. Është gjithashtu një vektor për viruset e bimëve, siç është Virusi i Klorozës së Domates.

Pasoja ekonomike dhe sociale

Rënia e prodhimit bujqësor ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike. Të ardhurat e fermerëve po bien, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore po rriten. Kjo situatë ndikon veçanërisht te familjet me të ardhura të ulëta dhe rrit rrezikun e pasigurisë ushqimore.

Si pasojë, shumë të rinj po largohen nga zonat rurale në kërkim të një jete më të sigurt ekonomike, duke lënë pas një sektor bujqësor gjithnjë e më të dobësuar.

Megjithëse ndryshimet klimatike janë një problem i njohur, masat për përshtatje në sektorin e bujqësisë mbeten të pamjaftueshme. Sistemet moderne të ujitjes, subvencionet për kultura rezistente dhe trajnimi i fermerëve janë ende të kufizuara. Ekspertët paralajmërojnë se pa një strategji të qartë dhe afatgjatë, bujqësia do të vazhdojë të jetë sektori më i rrezikuar.

Zgjidhje të zgjuara për t`u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike

Eskperti Haxhiraj propozon këto zgjidhje si më të përshtatshme dhe më të shpejta: “Janë të provuara tashmë se mënyrat më të mira për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike janë inovacioni, teknikat e kapjes së ujit, metoda agrobiologjike që përballojnë situatën, digjitalizimi i sektorit bujqësor”.

*Ky material është krijuar nga projekti GreenAL, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fonde nga Qeveria Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim.

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *