Kryeministri Edi Rama thotë se një anëtar i qeverisë nuk mund të pezullohet nga një prokuror ose gjykatës.
Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se ndryshimi në kodin penal është i domosdoshëm dhe mazhoranca do e votojë.
Kreu i qeverisë nënvizoi se qeveria nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.
“Nuk e kam lexuar këtë raport. Në mirëbesimin tuaj që më dhatë një ndjesi të tonin të një fjalie, nuk është puna e SPAK t’i tregojë Parlamentit çfarë duhet të bëjë. SPAK të shohë punë e vet, ne do shohim punën tonë. Detyra e SPAK është të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar. E ka mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran, nuk varet as nga SPAK, as nga ambasadat. Ndryshimi për të cilin ju flisni, nuk ka të bëjë me raportin e SPAK, sepse raporti është normalisht një raport pune për një periudhë të gjatë kohe.
Është ndryshim i domosdoshëm që do bëhet. Nuk mund një prokuror dhe gjykatës të pezullojë një anëtar të qeverisë. Këtu pezullohet funksioni, këtë nuk e ka ditur prokurori me gjykatësin. Nuk e ka askush autoritetin me ligj, që të vazhdojë të udhëheqë ministrinë në mungesë të ministrit. Do bëjmë ndryshime të tjera, kemi Kodin Penal. Këto nuk kanë ngut, po punojmë, kemi material voluminoz, drafti i përgatitur nga ekspertët shqiptarë, është në ripunim, kemi edhe dy aleatë, ministrinë e Drejtësisë së Italisë dhe Francës. Do të rishikojmë kodin e ri, normat e kodit të procedurës penale. Nuk ka asnjë vullnet, asnë tendencë, për të kthyer mbrapsht gjërat që kanë shkuar përpara”, theksoi ai./abcnews.al