Opozita kundërshton ndryshimet në rregullore, Tabaku: Po shkelet bashkëjetesa parlamentare, duhet të ketë ndryshime konsensuale

Në Konferencën e Kryetarëve, opozita kundërshtoi përfshirjen në rendin e ditës të Kuvendit të ndryshimeve në rregullore. Gjatë seancës plenare të ditës së sotme, deputetja e PD, Jorida Tabaku, deklaroi se mazhoranca është shprehur se po pret zbardhjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksoi se rregullat e bashkëjetesës parlamentare janë shkelur rëndë. Ajo nënvizoi se çdo ndryshim në rregullore duhet të bëhet me konsensus mes palëve.
Sipas Tabakut, ndryshimet që Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimi që i dha të drejtë opozitës për shkelje të procedurave parlamentare, përbëjnë një shembull të qartë të cenimit të rregullave në Kuvend.
Tabaku: Ndryshimet e rregullores të cilat PD i çoi në Gjykatën Kushtetuese, me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë opozitës për shkelje të rregullave të parlamentit, janë rasti më flagrant sesi rregullat e bashkëjetesës në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë. PD i qëndron faktit që rregullorja e parlamentit duhet patjetër të ketë ndryshime konsensuale. Ndryshimet e reja shkelin të drejtat e komisioneve dhe kryetarëve dhe krijojnë një super komison sikur po ndahen vilajete në këtë në parlament, njëri i nënës e tjetri i njerkës. Ky diskutim në konferencën e kryetarëve duke pasur parasysh që kishte në bazë vetëm ndryshimet e rregullores, është e nevojshme që të sqarohemi që ndryshimet e rregullores të njëanshme që marrin hapësirën e opozitës, që s’janë dakordësuar e konsultuar janë në shkelje të të gjitha parimeve të bashkëjetesës në parlament.