Policia e Shtetit paralajmëron: kujdes nga mashtrimet për gjobat e makinës!
Një skemë e re mashtrimi përmes mesazheve SMS është identifikuar së fundmi në vend, duke përdorur në mënyrë të rreme emrin e platformës shtetërore e-Albania. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, qytetarëve po u dërgohen mesazhe që pretendojnë se lidhen me pagesën e gjobave të automjeteve, por në fakt synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.
Kjo skemë mashtrimi ngjan me raste të mëparshme, përfshirë ato në emër të Postës Shqiptare, e cila ka depozituar kallëzim pranë strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike. Mesazhet përmbajnë links të falsifikuara që i drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, të ndërtuara për të mbledhur informacione sensitive.
Autoritetet theksojnë se këto njoftime nuk kanë asnjë lidhje me institucionet shtetërore dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar. Konkretisht, rekomandohet që të mos klikohen linke të ardhura nga numra të panjohur, të mos jepen të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara dhe të shmanget reagimi i menjëhershëm ndaj mesazheve që krijojnë ndjenjë urgjence.
Për të shmangur rrezikun, qytetarët duhet të përdorin vetëm faqen zyrtare të e-Albania dhe të fshijnë menjëherë çdo mesazh të dyshimtë. Çdo rast i tillë mund të raportohet pranë autoriteteve përkatëse.
Policia e Shtetit bën të ditur se vijon punën për identifikimin dhe goditjen e autorëve të këtyre skemave, duke mbetur e angazhuar në mbrojtjen e sigurisë digjitale dhe të dhënave të qytetarëve.
The post Policia e Shtetit paralajmëron: kujdes nga mashtrimet për gjobat e makinës! first appeared on Geek Room.