
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump e lëshoi të enjten një licencë të përkohshme që i lejon vendet të blejnë naftë ruse që ndodhet e bllokuar në det, shkroi të premten në X sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Ai tha se ky vendim synon të ndihmojë në stabilizimin e tregjeve të energjisë dhe në mbajtjen e çmimeve të ulëta, për shkak të asaj që ai e përshkroi si “kërcënim dhe paqëndrueshmëri të shkaktuar nga regjimi terrorist iranian”.
Licenca, e publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara, vlen vetëm për naftën e papërpunuar ruse dhe produktet e naftës që janë ngarkuar në anije deri më 12 mars.
Ajo lejon që këto dërgesa të dorëzohen deri më 11 prill.
Një burim diplomatik ukrainas tha se ky është një vendim që sigurisht nuk do të ndihmojë në stabilizimin e tregut, por do ta ndihmojë Rusinë të zhvillojë luftën për më gjatë, veçanërisht duke marrë parasysh se vetë Rusia po e ndihmon regjimin iranian ta destabilizojë Lindjen e Mesme.
Rusia tha se e cilëson këtë vendim si një përpjekje për t’i stabilizuar tregjet globale të energjisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska beson se interesat e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara “përputhen bazuar në rrethanat” për këtë çështje, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e kritikoi këtë vendim.
Në një postim në X, ai tha se vendimi i njëanshëm i SHBA-së për të hequr sanksionet ndaj eksporteve të naftës ruse është “shumë shqetësues”, sepse ndikon në sigurinë evropiane, dhe paralajmëroi se dobësimi i sanksioneve do t’i jepte Rusisë më shumë burime për ta vazhduar luftën kundër Ukrainës.
Eksperti ukrainas i energjisë, Mykhailo Honchar, president i Qendrës së Studimeve Globale Strategy XXI, tha se Rusia gjithsesi do të përfitojë financiarisht nga ky vendim amerikan, edhe nëse fitimet nuk ka gjasa të jenë vendimtare për buxhetin e saj.
“Sigurisht që do të ketë njëfarë përfitimi, pa asnjë dyshim”, tha Honchar për Shërbimin ukrainas të REL-it, duke shtuar se pyetja kryesore është se çfarë do të ndodhë pasi të skadojë vendimi fillestar.
Ai paralajmëroi se çështja më e rëndësishme është nëse Shtetet e Bashkuara do t’i rikthejnë sanksionet pas periudhës 30-ditore apo do ta zgjasin më tej lehtësimin.
Sipas tij, Ukraina duhet t’i nxisë partnerët evropianë të mos lejojnë lehtësime të ngjashme dhe t’i vazhdojë kontaktet me zyrtarët në Uashington për të siguruar që ky lehtësim të mos zgjatet.
Vendimi vjen në një kohë kur çmimet e naftës janë në rritje dhe u ngritën mbi 100 dollarë për fuçi më 12 mars, pas raportimeve për sulme të tjera ndaj anijeve në ujërat e Gjirit Persik dhe mbylljen e disa terminaleve kryesore të naftës.
Nafta ruse u bllokua në det për shkak të sanksioneve të SHBA-së të vendosura ndaj prodhuesve të mëdhenj rusë.
Ekspertët vlerësojnë se më shumë se 100 milionë fuçi naftë me origjinë ruse ndodhen aktualisht në det në mbarë botën.
Më parë, Shtëpia e Bardhë kishte ndaluar blerjen e naftës ruse dhe kishte kërcënuar me tarifa të larta vendet që vazhdonin ta blinin, duke thënë se masat synonin të ndërprisnin fondet që përdoren për të financuar luftën e Kremlinit kundër Ukrainës.
Demokratët dhe disa republikanë e kanë kundërshtuar mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
Kritikët argumentojnë se çdo e ardhur shtesë nga nafta mund ta ndihmojë presidentin rus Vladimir Putin të intensifikojë sulmet kundër Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar se Trump po favorizon Moskën në negociatat që synojnë t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Më herët, Shtetet e Bashkuara i dhanë Indisë një licencë 30-ditore për të blerë naftë ruse që tashmë ishte bllokuar në det. Bessent tha në atë kohë se ky hap u ndërmor që “nafta të vazhdonte të rridhte në tregun global”.
Shtëpia e Bardhë tha se nuk besonte se ky autorizim do t’i sillte Rusisë përfitime të mëdha financiare.
Së fundmi, Komisioni Evropian i kërkoi Shteteve të Bashkuara të ruajnë kufizimet ndaj naftës ruse.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë duke kryer sulme ndaj Iranit që nga 28 shkurti.
Si përgjigje, Teherani ka sulmuar Izraelin dhe bazat ushtarake amerikane në Gjirin Persik. Lufta në Lindjen e Mesme, tashmë në javën e dytë, ka ndërprerë trafikun nëpër Ngushticën e Hormuzit, një kalim përmes të cilit kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë./rel
