Të dhënat personale të rreth 1,5 milionë personave janë zbuluar në internet, pas një sulmi kibernetik ndaj një ofruesi suedez të sistemeve të IT-së, njoftoi sot zyra e prokurorit suedez.
Numri i personave të prekur përfaqëson gati 15% të popullsisë së Suedisë prej 10,6 milionë banorësh.
Më së shumti u prekën autoritetet lokale.
Sulmi ndaj ofruesit të sistemeve të IT-së ”Miljodata” ndodhi gjatë fundjavës së 23-24 gushtit.
“Të dhënat e vjedhura në sulmin ndaj ofruesit të sistemeve të IT-së tani janë zbuluar. Kjo ka të bëjë me të dhëna që i përkasin më shumë se 1,5 milionë individëve privatë”, tha prokurorja Sandra Helgadottir, duke shtuar se një hetim për shkeljen e të dhënave ishte duke vazhduar.
Një grup që e quan veten ”Datacarry” ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe hetimi është përqendruar në identifikimin e personit ose personave përgjegjës.