Tension dhe polemika në Rrogozhinë, Egnatia–Vllaznia mbyllet pa gola

Një ndeshje e fortë dhe e mbushur me tension u zhvillua në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Vllaznisë, e vlefshme për javën e 28-të të “Abissnet Superiore”. Takimi përfundoi në barazim 0-0, në një sfidë ku nuk munguan ndërhyrjet e ashpra, polemikat dhe momentet dramatike.

Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e fortë fizike dhe me raste më të shumta për kampionët në fuqi të Egnatias. Në fundin e këtij fraksioni, Vllaznia mori një goditje të rëndë, pasi Lirim Kastrati u dëmtua dhe u detyrua të largohej nga fusha mes lotësh. 45 minutat e para u mbyllën pa gola, me rezultatin 0-0.

Tensioni vijoi edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 70-të, Xhemajli ndërhyri rëndë ndaj kapitenit të Vllaznisë, Bekim Balaj. Arbitri e ndëshkoi fillimisht me karton të kuq, vendim që u konfirmua edhe nga sistemi VAR. Pas këtij momenti, skuadra e Egnatias vendosi të braktisë përkohësisht fushën e lojës në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit. Në stadium ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Situata u tensionua më tej kur arbitri ndëshkoi me karton të kuq edhe trajnerin e Egnatias, Edlir Tetova. Në minutën e 87-të, Vllaznia pati mundësinë më të mirë për të marrë fitoren, por Mala humbi një rast të artë përpara portës. Koha e rregullt u mbyll 0-0, ndërsa arbitri akordoi edhe 10 minuta shtesë në një fund ndeshjeje të mbushur me tension.

Pas këtij barazimi, Vllaznia ruan vendin e parë në renditje me 52 pikë, ndërsa Egnatia mbetet pas me 50 pikë, duke e mbajtur të hapur garën për kreun e kampionatit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *