Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënoi të martën sulmin e fundit të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarit Marko Boshku, duke e cilësuar atë “në kufijtë e veprës penale”, ndërsa paralajmëroi se do të ushtrojë çdo mjet ligjor në fuqi për mbrojtjen e gjyqtarëve të veçantë dhe pushtetin gjyqësor në tërësi.
Duke e konsideruar deklaratën për Boshkun si tërësisht të paprecedentë dhe të papranueshme, shoqata e vlerëson sulmin ndaj gjyqtarëve të veçantë si sulm ndaj të gjithë pushtetit gjyqësor dhe si një tentativë të kryeministrit për uzurpimin e këtij pushteti.
Pas një serie sulmesh ndaj gjyqtarëve, Rama targetoi të hënën gjyqtarin e Gjykatës Administrative Marko Boshku për një vendim që lidhej me rikthimin në detyrë të një drejtuesi rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të kapur me ndërtim pa leje në Ksamil.