Kurbin – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ambientet”
Kurbin
Sektori Kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Ambientet”.
Zbulohet një lokal dhe një dyqan në fshatin Sanxhak, të përshtatur për konsumim dhe shitje drogash, si dhe për ushtrim të lojërave të fatit me kompjuterë.
Arrestohen pronari i dy ambienteve, prindërit e tij dhe kamerieri.
Procedohet në gjendje të lirë një 25-vjeçar që u kap duke konsumuar Cannabis në lokal.
Sekuestrohen 30 doza të lëndës narkotike “Cookies”, e dyshuar e sjellë nga Amerika Latine.
Gjithashtu, sekuestrohen rreth 2 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e ndarë në mijëra doza, 2 peshore elektronike, 3 kompjuterë, 3 celularë, disa fishekë, një shumë parash (në lekë dhe në euro) dhe 6 ora dore të dyshuara të vjedhura.
Gjatë operacionit “Ambientet”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, pas kontrollit të kryer në lokalin në Sanxhak, u arrestuan në flagrancë pronari i ambientit, shtetasi V. R., 26 vjeç, prindërit e tij, shtetasit Gj. R., 67 vjeç, dhe M. R., 63 vjeçe, si dhe kamerieri, shtetasi R. I., 26 vjeç, të gjithë banues në këtë fshat.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta shtetas e kishin përshtatur lokalin dhe dyqanin për konsumim dhe shitje të drogave. Gjithashtu, kishin instaluar kompjuterë për lojëra fati.
Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 25 vjeç, sepse u kap duke konsumuar lëndë narkotike në ambientet e këtij lokali.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.