Jetëgjatësia në Shqipëri: Paradoksi i një populli me ekonomi modeste
Jetëgjatësia e shqiptarëve si një fenomen për t’u studiuar dhe cilësia e jetës gjatë moshës së tretë si një faktor ku duhet ndërhyrë. Ky ka qenë fokusi i episodit të shtatë të emisionit "Shpopullimi”, ku përveç arritjeve u analizuan edhe sfidat dhe paradokset e këtij fenomeni në Shqipëri. Në studio u ofruan analiza mbi faktorët ekonomikë, socialë dhe shëndetësorë që ndikojnë në jetëgjatësinë, ndërsa dokumentari shoqërues ilustroi me histori reale dhe të dhëna konkrete.
Paradoksi shqiptar: Jetëgjatësia në kushte ekonomike modeste
Demografi Arjan Gjonça e ndau historinë e jetëgjatësisë në Shqipëri në dy etapa kryesore: periudha socialiste dhe periudha pas viteve ’90. "Duhet të themi se Shqipëria është një nga vendet që ka arritur shumë në drejtim të jetëgjatësisë, për një vend me kosto jete të ulët,” theksoi ai. Gjatë periudhës socialiste, investimet në kujdesin shëndetësor ishin të mëdha, duke u përqendruar në shërbime sociale dhe mjekësi të bazuar në komunitet. Në të njëjtin kontekst, ai shtoi: "Edhe sot, Shqipëria mbetet një vend me GDP të ulët, por me një jetëgjatësi të madhe, e cila lidhet me elementë të rëndësishëm socialë që e kanë ndihmuar këtë fenomen.”
Përfaqësuesi i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Alban Ylli, e përshkroi këtë situatë si një "paradoks shqiptar,” duke krahasuar Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: "Shqipëria ka arritur një jetëgjatësi të ngjashme me SHBA-në, ndërkohë që nga pikëpamja e pasurisë kombëtare diferencat janë të mëdha,” tha ai.
Cikli i jetës: Rëndësia e vëmendjes që në fillim
Ndërsa Dr. Dorina Toçaj, analiste e programit të shëndetit seksual dhe riprodhues në zyrën e UNFPA në Shqipëri, theksoi se për të arritur një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, kujdesi duhet të fillojë që nga fillimi i jetës: "Duhet të shohim gjithë ciklin e jetës, nga barku i nënës deri në moshën e tretë. Nëse investojmë në edukimin e brezit të ri për një stil jetese aktiv, me ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitete që nxisin vitalitetin, ne nuk ndihmojmë vetëm jetën e tyre, por edhe plakjen e tyre të shëndetshme,” shtoi ajo.
Kjo qasje ndihmon në uljen e sëmundshmërisë kronike dhe përmirëson cilësinë e jetës në të gjitha etapat.
Në diskutimin për sfidat e politikave publike u theksuan tre shtyllat kryesore që duhet të udhëheqin qasjen shqiptare ndaj plakjes së popullsisë:
Lufta kundër varfërisë dhe izolimit, për të garantuar një jetë dinjitoze për të moshuarit dhe pa probleme te shendetit mendor. Shërbimet sociale dhe shëndetësore, me fokus në ndihmën për personat e vetmuar dhe ata në nevojë. Ruajtja e shëndetit, përmes përmirësimit të kujdesit mjekësor dhe programeve të parandalimit.Edhe pse u evidentua se politika të tilla kanë filluar të ndërtohen, pranohet se ende kanë nevojë për forcim dhe zbatim më të plote, ose siç shprehet Dr. Gjonça: "Duhet të pranojmë se jemi ende në fillimet e këtij procesi” .
“Jetëgjatësia është sasi e jetës, por pyetja është: po cilësia e jetës?”
Edhe pse shqiptarët po jetojnë më gjatë, sfidat qëndrojnë në sigurimin e një cilësie më të mirë të jetës për të moshuarit. Mjekësia moderne dhe politikat sociale janë pjesë e rëndësishme, por ndërgjegjësimi shoqëror dhe përshtatja e stileve të jetesës janë gjithashtu vendimtare.
Dr. Nevruz Caushaj, kardiolog, vuri në dukje dallimin e rëndësishëm mes sasisë dhe cilësisë së viteve të jetuara. "Jetëgjatësia është sasi e jetës, por pyetja është: Po cilësia e jetës? A kemi vite të shëndetshme apo vite të mbushura me sfida shëndetësore dhe pamundësi?” tha ai.
Ai theksoi se një nga shqetësimet kryesore mbetet cilësia e jetës në moshën e tretë, duke ngritur pyetjen se si të sigurohet që këto vite të mos jenë thjesht ekzistencë, por jetë aktive dhe me dinjitet.
Një aspekt thelbësor i debatit mbi jetëgjatësinë është kujdesi ndaj të moshuarve të vetmuar dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë të specializuar. Sipas të dhënave të fundit, mbi 64 mijë të moshuar shqiptarë jetojnë të vetmuar, duke përballuar vështirësi të shumta jo vetëm fizike, por edhe emocionale.
Sipas ekspertëve kujdesi në shtëpi dhe shërbimet mobile të personalizuara janë një domosdoshmëri për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Shoqëria dhe shteti duhet të ndërtojnë mekanizma solidariteti që të moshuarit të mos ndjehen të lënë pas dore.
Aktiviteti dhe përfshirja sociale: Një jetë e pleqërisë me dinjitet
Në këndvështrimin e sociologut Gëzim Tushe, ka shumë rëndësi angazhimi i të moshuarve në shoqëri: "Në këtë botë nuk është e rëndësishme vetëm të jesh i ri, por të mbetesh i ri edhe kur të plakesh,. Tushi i inkurajon të moshuarit të marrin pjesë në aktivitete sociale dhe të shfrytëzojnë kohën e lirë për të mbajtur mendjen dhe trupin aktiv: "Pleqëria nuk duhet të jetë një pritje pasive e fundit të jetës, por një periudhë produktive dhe e dobishme”.
Jetëgjatësia nuk duhet të shihet vetëm si shtim i viteve të jetës, por edhe si rritje e viteve të jetuara në mënyrë cilësore. Diskutimet në studio dhe përmbajtja e dokumentarit u bashkuan për të dhënë një mesazh të qartë: Jetëgjatësia është një sfidë kolektive që kërkon bashkëpunim mes individit, shoqërisë dhe shtetit.