minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Shqipëria në solidaritet me Gjermaninë, dënon sulmin në tregun e Krishtlindjeve

Shqipëria dënon sulmin në tregun e krishtlindjeve në Gjermani. Në reagimet e tyre, drejtuesit e lartë të shtetit thonë se vendi ynë mbetet i bashkuar kundër terrorizmit.

Tronditja që ka shkaktuar sulmi në Magdeburg të Gjermanisë është e madhe. Presidenti Bajram Begaj, shkruan se “goditja me makinë e qindra njerëzve paqësorë në tregun e Krishtlindjeve, duhet të dënohet si një akt frikacak, jo dinjitoz dhe i pajustifikueshëm”, shprehet Begaj.

Edhe Kryeministri Edi Rama në një postimi në rrjetin social “X”, shkruan se ndihet i tmerruar nga “sulmi terrorist që ka marrë jetë të pafajshme dhe ka plagosur shumë persona gjatë festimeve”.

Më tej, Kryeministri Rama shpreh solidarizimin e Shqipërisë me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm dhe shton se vendi ynë mbetet i bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ndërsa Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka konfirmuar se në grupin e njerëzve të lënduar, nuk ka asnjë shqiptar, duke shtuar se qëndron në solidaritet me familjet e të prekurve. “Thellësisht të tronditur nga lajmi për sulmin mizor në Magdeburg, i cili ka lënë dhjetëra familje të shkatërruara gjatë një periudhe që duhej të ishte e gëzueshme. Zemrat tona janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit gjerman gjatë kësaj kohe të vështirë”, shkruan ministri Hasani.

Ngjarja e rëndë në tregun festiv të qytetit gjerman, u shkaktua nga një person me origjinë nga arabia saudite, i cili u fut mespërmes turmës dhe la 5 të vdekur dhe dhjetra të plagosur.