minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Qeveria vendos bllokimin e TikTok në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka vendosur të bllokojë platformën TikTok në Shqipëri. Lajmi u dha nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të Planit të Ri të Veprimit, një nismë e Ministrisë së Arsimit për të rritur sigurinë në shkolla. Ky plan ka si qëllim të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve digjitale, duke krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët.

Ministrja Manastirliu theksoi se ky hap është pjesë e një pakete masash të cilat janë në zhvillim e sipër nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Ajo nënvizoi se ndalimi i TikTok është një masë që lidhet me përpjekjet për të rritur sigurinë fizike dhe digjitale në shkolla dhe për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet negative të rrjeteve sociale.

"Për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla dhe impaktin që sjellin rrjetet sociale, si dhe angazhimin e fëmijëve, kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë masash që po punojnë autoritetet përkatëse,” tha Manastirliu.

“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve”, shtoi ministrja.

Ministrja Manastirliu nënvizoi rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit.

“Nuk mund të ketë siguri pa edukim. Miratimi i Kodit të Ri të Etikës për mësuesit, fuqizimi i Këshillave të Prindërve dhe organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike janë hapa thelbësorë për të ndërtuar një front të përbashkët në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, përmirësimi i kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital dhe Ligjor do të ndihmojë në formimin e një brezi më të ndërgjegjësuar dhe më të përgjegjshëm.”, tha Manastirliu.