minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Licensohen mbi 900 inxhinierë, themelohet Oda e Inxhinierëve të Kosovës

Oda e Inxhinierëve e Kosovës ka mbajtur mbledhjen konstituive ku janë licensuar mbi 900 inxhinierë.

Këtë të shtunë pritet që pas përfundimit të punëve të kuvendit të parë, të bëhet zyrtarisht edhe themelimi i kësaj ode.

Ministri i Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se me rastin e themelimit të Odës së Inxhinierëve të Kosovës deri më tani janë regjistruar 675 inxhinierë dhe 910 të tjerë u licensuan.

“Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm dhe e kemi prit me kohën dhe jemi munduar të sigurojmë sa më shpejtë licensimi dhe të arrijmë të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës. Kemi qenë të hendikepuar. Nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licensa. Licensa është e domosdoshme pasi diplomën është ajo që ti e merr dhe do ta kesh përherë”, tha Aliu.

Themelimi i kësaj ode u bë në kuadër të projektit të GIZ-it, i  financuar nga BE-ja dhe qeveria gjermane, duke mbështetur Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrasturukturës në zhvillimin e bazës ligjore.

Përfaqësuesja e GIZ-it, Venera Aqifi tha se themelimi i kësaj ode është një moment shumë i rëndësishëm për forcimin e strukturave të inxhinierisë në Kosovë.

Ndërkaq, udhëheqësi i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu tregoi historikun dhe sfidat të cilat të janë tejkaluar deri në themelimin e kësaj ode.

Ai tha se oda e inxhinierëve do të jetë përgjegjëse për licencimin e inxhinierëve, promovimin e standardeve etike dhe profesionale, mbështetjen dhe edukimin profesional e të tjera.