minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Sikur Edith Durham të ishte këshilltare e Kurtit dhe Ramës

Nga Ben Andoni

Edhe një ditë pas mbledhjes së përbashkët të dy parlamenteve shqiptare të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Prishtinë, publiku dhe media ende po merret me fjalimet e dy kryeministrave tanë. Rama dhe Kurti kanë gjetur mundësi që të shpalosin respektivisht qëndrimet e tyre, përballë realiteteve ku gjenden sot. Rama ka dalë edhe më përtej duke artikuluar sesi duhej të sillej parlamenti kosovar me rastin e gjyqit të udhëheqësve të UÇK-së, me ngrirjen e dialogut dhe çështje të tjera; kurse Kurti për NATO dhe më i kursyer njësoj për problematikat e brendshme, sepse me sa duket e parashihte se fjala e Haradinajt, që do të pasonte ishte shumë e thartë. Megjithatë, Kurti ia kujtoi Ramës (kjo vjen përmes medias) nëse do të marrin pjesë në zgjedhje Berisha dhe Meta?! A thua, se këto janë gjërat më të mprehta, që duan të dëgjojnë shqiptarët prej tyre? Po pse dy parlamentet tona e bënë kaq vonë takimin, kur të dyjave u mbyllen mandatet? Pse nuk parashtruan ide më të mëdha në këtë takim?

Deklarata e tyre e përbashkët, në fund, e zbuti situatën dhe e futi në hulli axhendën kombëtare, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që theksoi se qëllimi i mbledhjes ishte që Kosova dhe Shqipëria ta bashkërendonin “agjendën kombëtare” për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike: “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkim Evropian brenda kësaj dekade, integrimi euroatlantik i Kosovës, pra në NATO dhe BE, dhe njohjet përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

Fjalë të mëdha, që nuk i ndajnë dot pengesat që i krijojmë dhe ia artikulojmë vetes në çdo moment prej dekadash të tëra. Dhe, sëmundja është dhe mbetet e njëjtë: Përçarja.

Gati më shumë se 100 vite më parë, Edith Durham, etnologia e shquar britanike, do t’i shkruante në një letërkëmbim, Parashqevi Qiriazit, redaktores kryesore të Yllit të Mëngjezit” (Përkthimi është bërë me gjasë nga vetë Qiriazi). “Me këtë rast dëshironj t’u heq vërejtjen tërë patriotëvet shqiptarë se një nga kundërshtimet që kanë të jashtmit për një Shqipëri të lirë është se: shqiptarët janë të përçarë edhe zihen kaq shumë midis tyre sa me gjithë që e dëshirojnë lirin’ e Shqipërisë nuk e shohin dot si mund të realizohet edhe në u realizoftë si mund të përmbahet”.

Dhe, pasi e shtjellon shqetësimin e saj, e mbyll me një konkluzion të qartë: “Në kohën e tanishme e para pyetje që më bëhet është, ‘Në qoftë se u jepet shqiptarëve lirija ç’qëllojnë të bëjnë? Çfarë qeverie mund të formojnë? Cilët janë njerëzit që kanë besimin e tërë popullit?” pyetje në të cilat asnjeri nuk mund të përgjigjet sot.

U lutem ja u bëni të njohur këto shqiptarëve të Amerikës.

Unë po përpiqem të bëj atë që mund për t’i shërbyer çështjes shqiptare; po është një gjë shumë e vështirë se nuk mund të përgjigjemi në tërë pyetjet me rëndësi duke mos patur shqiptarët vehtë një politikë të përbashkët edhe të vendosur”. Letra është e firmosur në vitin 1917. A mos vallë duhet t’i lexojnë më shumë politikanët tanë këto letra?! E vështirë, për individë, axhendat e të cilëve, janë thjesht interesa të momentit dhe jo shtetformim. Dhe, të mendosh se me gjithë këtë përpjekje të madhe sërish jemi me fat. Dy shtete shqiptarësh dhe mbi të gjitha aspirata të jashtëzakonshme, për një hapësirë, që ka pasur luhatje të mëdha të mendimit dhe konceptit patriotik.  Nëse Durhami mund të sillej në këtë kohë, do mund t’ua kujtonte shqiptarëve, se megjithatë i kishte paralajmëruar, kurse Kurtit dhe Ramës do i thoshte se nuk ishin në gjendje, megjithatë, që t’ua kalonin as kolegëve të tyre të një shekulli më parë. Të paktën, lidhur me shtetformimin, ajo mund të ishte këshilltare më e mirë sesa taborët pa fund të këshilltarëve të sotëm dhe të djeshëm të qeveritarëve shqiptarë. (Javanews)