Vlorë, 68-vjeçari gjendet i pajetë në banesë, kishte shenja në fytyrë
Një person i moshës 68-vjeçare është gjetur i pajetë në zonën e Centrales në Vlorë, pjesë e lagjes "10 Korriku”. Sipas policisë viktima është Bashkim Durmishi, i cili dyshohet se ka pësuar arrest kardiak dhe ka rënë në dysheme duke humbur jetën.
Informacionet e para të pakonfirmuara ishin se personi dyshohej të ishte grabitur dhe me pas goditur me një send të fortë pasi ai ishte gjetur i zhveshur dhe me një shenjë në nofull, por policia ka reaguar me një deklaratë zyrtare ku thotë se 68-vjeçari ka pësuar arrest kardiak dhe do jetë ekspertiza e cila do përcaktojë nga se kanë ardhur shenjat në fytyrën e të ndjerit.
Njoftimi i Policisë
Sot, rreth orës 19:02, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij shtetasi B.D., 68 vjeç.
Paraprakisht, dyshohet se 68-vjeçari ka pësuar arrest kardiak.
Trupi i 68-vjeçarit do të transportohet në morg për ekspertizë mjekoligjore, për të përcaktuar saktësisht shkaqet e dëmtimit të konstatuar në fytyrë dhe të vdekjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.