Dr. Jorida Sotiri: Kujtesa zgjon nga vegimi ëndrrat
publikuar nga ExLibris, ne #ExLibris. ora 17:36
Rreth romanit “Dritarja e Marin Shkrelit” të Ndue Ukajt
Imazhi i pasqyrimit në dritare është element që e shtrin vëzhgimin, drejt shpresave dhe udhëtimeve të paqëndrueshme, duke sjellë atë që Gaston Bachelard-i e quan kompleksitet të kulturës. G. Genette, në leximin strukturalist të funksionit modern të këtij besimi, përcakton “paqëndrueshmërinë” ose “karakterin e lëkundur” si thelbin e tiparit të qenësishëm të imazhit Marin, theksuar se tek ai mishërohet (simbolikisht) ajo pjesë e besimit që është quajtur kompleksitet i kulturës, ku shtrihen dy motive: i shpresës dhe ai i vegimeve të tij për ndryshim.
Marini, duke soditur dhe kundruar botën, reflekton kalvarin e vuajtjeve dhe të shpresës së tij brenda vetes. Ai tronditet, kur i duhet të pranojë si nevojë dhe natyrshmëri, ndryshimet që dëshmojnë tipare të tradhëtuara dhe të lëkundura në hapësirat kohore. Reflektuar në retrospektivën e kohërave, motiv i përkuljes mbi vetveten dhe soditjes estetike, quhen si shtysë dhe kusht për njohjen e botës. Me personazhin simbol autori kërkon të stërvit shpirtin e tij me dashuri për të tjerët, është përherë në kërkim të dashurisë personale, në kërkim të njerëzores dhe fisnikes, në kërkim të shpresave të reja në kundrimin e botës. Rrëfimi bëhet në vetën e tretë, duke dëshmuar se autori merr pjesë aktive në krijimin e vetëdijes artistike, si formë e mundësisë së pasurimit shpirtëror, e njësimit me artin. Në narracionin e rrëfimtarit, autori Ukaj ka vënë theksin në soditjen e personazhit simbol në “mohimin e dashurisë fizike, e dukjes sipërfaqësore të gjërave”, “simboli i soditjes estetike dhe pavdekësisë së kohërave. Dashuria fizike, është faza e skajshme e pohimit të “spirtualitetit” të kundrimit të bukurisë. E vërteta absolute, gjendet në botën e bukur të dashurisë. E bukura si pjesa më irracionale e së vërtetës është e pamundur të zbulohet, tërheqja ndaj artit të pastër dhe bukurisë së kulluar merr formën pasionale të udhëtimit nëpër kohë, që ka nxitur imagjinatat më të guximshme njerëzore. Frikërat e fëmijërisë, do ta rrëzonin mbretërinë e së keqes, ku ëndërronin monumentin e dashurisë njerëzore. Dashuria ka ditur të lulëzojë edhe në ditët e luftës, përballë antologjive, personazhi i dyzuar jetonte në vorbullën e ëndrrave pa mbarim.
Mesazhi i kopshtit biblik në veprën “Dritarja e Marin Shkrelit” është një ndër mesazhet më të goditura. Ai luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e depozitës tematike nëpërmjet vlerës simbolike të heroit, por edhe nëpërmjet situatës. Marini shtresëzohet edhe në kuptime të tjera si: mohim i dashurisë fizike, i dukjes sipërfaqësore të gjërave, simbol i soditjes estetike dhe i pavdekësisë së ideve. Përdorimi i këtij motivi dhe muzika e tekstit, aludimi ose tërheqja e vëmendjes përmbi analogjitë, çon në përkthimin e realitetit në simbole që rrjedhin drejtpërsëdrejti prej motivit të kopshtit biblik. Duke vlerësuar mendimin e filozofit gjerman, Ernest Kasirer, që ligjërimi nuk shërben për të emëruar realitetin, por për ta konceptualizuar atë, bën dallimin e njeriut nga kafsha, forma e ligjërimit nuk është e vetmja mënyrë për ta bartur këtë rol, këtu bëjnë pjesë edhe miti, religjioni, arti, shkenca, letërsia. Trinia e rrënjëve, gjakut, etnisë strukturon realitetin e thellë, që autori vetëm sa na e zbulon te “Dritarja e Marin Shkrelit”, makrostruktura e së cilës i bindet modelit hapësinor. Autori, shfaqjen e objektivave e bën të mundur në rrjedhën e lëvizjes së kohërave, në metastazat e rrënjëve. Janë këto rrjedha, që zbulojnë botën e dytë, atë të thellën. Universi i kujtimeve mes rrjedhës së hapësirës që mbart kujtimet. Kjo rrjedhë përshkon shpirtin e thellë të gjërave dhe atë të shpirtëzimit të tyre, i cili bashkë me këtë realitet të thellë të botës, kërkon e zbulon edhe atë të shpirtit të vet, fytyrën e vet të vërtetë. Në vëzhgimin e botës dhe ëndjes për liri.
Vepra “Dritarja e Marin Shkrelit”, me shtresimet e ideve dhe me diskursin letrar simbolizues është ngritur mbi trashëgiminë historike. Tematizimi themelor është jeta (e kalueshme) përballë Zoti (përjetësisë), vuajtja ku sjell një krenari që nuk e ka fuqinë tek ëndërrimi, por te pastrimi i brendshëm, në bashkëjetesë me vuajtjet e të tjerëve si dhimbje e trishtimit në frikërat e luftërave. Udhëtime të pazakonta nëpër kohë, sjellin vëzhgimin në sfondin me perëndim dielli në kërkim të vlerave të njeriut te e vërteta që zotëron. Përpjekjet e çiltra që njeriu zotëron. Sepse atij, nuk ia shton forcat zotërimi i së vërtetës, por kërkimi i saj: vetëm këtu qëndron progresi i përhershëm i përsosjes së tij. Zotërimi të rehaton, të bën përtac, mendjemadh; nëse Zoti do të mbante në dorën e djathtë gjithë të vërtetën, kurse në të majtën vetëm kërkimin, që nuk resht kurrë, të së vërtetës – edhe sikur ky kërkim të shpinte veç në gabime, çdo herë e gjithmonë – dhe nëse do të thoshte: “Zgjidh!”, përulësisht do të turresha te dora e tij e majtë e do t`i thosha: “O, Atë, më jep këtë, sepse sido që të jetë, e vërteta e kulluar të përket vetëm ty.” Në këtë sfond esenca shpirtërore kthehet në shenjën e identitetit personal. Ajo beson në misionin e krijuesit, prandaj ky libër e dëshiron lexuesin, duke nxitur dialogun e përhershëm në të. Ndaj sugjerimi i vetëm është të shprehim leximin e këndshëm të këtij vëllimi, e nëse mundeni shijojeni magjinë e artit të romanit “Dritarja e Marin Shkrelit” të autorit Ndue Ukaj.