minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Trump pret Netanyahun të hënën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë

publikuar nga Rovena, ne #ABC News. ora 23:51


Presidenti Donald Trump do ta pres kryeministrin izraelit, Benjamini Netanyahun për bisedime në Shtëpinë e Bardhë të hënën e ardhshme, sipas administratës amerikane.

Vizita vjen në një kohë kur udhëheqësi amerikan ka nisur të intensifikojë përpjekjet ndaj qeverisë izraelite për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe një marrëveshje për pengjet, si dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Zyrtari që dha informacion nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht për vizitën që ende nuk është bërë zyrtare, dhe foli në kushte anonimiteti, shkruan AP.

Vizita e Netanyahut vjen pas vizitës së ministrit izraelit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, në Washington këtë javë, për bisedime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane lidhur me armëpushimin në Gaza, Iranin dhe çështje të tjera.

Presidenti, në komentet e tij publike ka sinjalizuar se po përqendrohet në përpjekjet për të ndalur luftimet midis Izraelit dhe Hamasit, që prej vendosjes së armëpushimit që i dha fund 12 ditëve përleshjesh ndërmjet Izraelit dhe Iranit, një javë më parë.

“Mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë një armëpushim në Gaza”, u tha Trumpi gazetarëve të premten, duke mos dhënë shpjegim të mëtejshëm.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të hënën se Trumpi dhe zyrtarët e administratës janë në komunikim të vazhdueshëm me udhëheqësit izraelitë dhe se përfundimi i konfliktit në Gaza është një përparësi për Trumpin.