Irani përjashton mundësinë për rinisjen e shpejtë të bisedimeve bërthamore
publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 08:44
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka përjashtuar mundësinë e një rikthimi të menjëhershëm në tryezën e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, pas një përshkallëzimi të tensioneve që përfshin edhe sulme ajrore mbi infrastrukturën bërthamore iraniane.
Në një intervistë për rrjetin CBS të publikuar më 30 qershor, Araqchi tha se, ndryshe nga deklaratat e mëhershme të Presidentit amerikan Donald Trump, negociatat nuk pritet të rifillojnë së shpejti.
“Nuk mendoj se negociatat do të rifillojnë kaq shpejt,” u shpreh Araqchi, duke shtuar se për një rikthim në dialog, Teherani duhet të ketë siguri se SHBA nuk do të ndërmarrë sulme ushtarake gjatë procesit të negociatave.
“Dyert e diplomacisë nuk do të mbyllen kurrë plotësisht,” tha ai, por nënvizoi se “nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar të gjitha pikat”.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm pas ndërprerjes së bisedimeve bërthamore dhe fillimit të një serie sulmesh nga Izraeli më 13 qershor ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, të cilave SHBA iu bashkua më 22 qershor. Tre objekte kyç, përfshirë ndërtesën nëntokësore në Fordo, u bombarduan nga forcat amerikane.
Presidenti Trump, në një postim në platformën Truth Social, tha: “Nuk po i ofroj Iranit asgjë… dhe as nuk jam duke folur me ta, që kur i kemi shkatërruar plotësisht objektet e tyre bërthamore.”
I pyetur për deklaratat e Rafael Grossi, kreut të agjencisë bërthamore të OKB-së, se Irani mund të rifillojë pasurimin e uraniumit brenda pak muajsh, Araqchi u shpreh: “Nuk mund të shkatërrosh teknologjinë dhe shkencën e pasurimit përmes bombardimeve.”
Ai shtoi se nëse ekziston vullnet politik, Irani “do të jetë në gjendje të riparojë dëmet me shpejtësi dhe të kompensojë kohën e humbur”.
Shkalla e dëmeve në infrastrukturën bërthamore të Iranit mbetet ende e paqartë, por autoritetet iraniane kanë pohuar se objektet kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Pavarësisht kësaj, Teherani ka riafirmuar se programi i tij bërthamor është me qëllime paqësore.