minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Përleshje në Stamboll, arrestime dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve

publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 13:25


Stambolli u përfshi mbrëmjen e së hënës nga përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, pas publikimit të një karikature në revistën satirike turke “LeMan”, që u konsiderua si ofendim ndaj profetit Muhamed.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë një turmë të zemëruar prej rreth 300 personash që protestuan pranë një kafeneje të frekuentuar nga punonjës të revistës.

Karikatura e publikuar më 26 qershor shfaqte dy figura që fluturonin mbi një qytet në bombardim, me dialogun: “Salam aleikum, unë jam Muhamedi” dhe “Aleikum salam, unë jam Musa.” Pavarësisht se kryeredaktori i LeMan, Tuncay Akgun, tha se bëhej fjalë për një mysliman të vrarë në Gaza dhe jo për profetin Muhamed, kryeprokurori i Stambollit urdhëroi arrestimin e disa anëtarëve të stafit.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, konfirmoi arrestimin e karikaturistit, dizajnerit grafik dhe dy pjesëtarëve të tjerë të stafit. Ndërkohë, policia kontrolloi zyrat e revistës në rrugën Istiklal, dhe janë lëshuar fletarrestime të tjera për drejtues të tjerë të saj.

Revista “LeMan” reagoi përmes platformës X (ish-Twitter), duke thënë se karikatura është keqinterpretuar me qëllim provokimi dhe se nuk kishte asnjë qëllim për të fyer vlerat fetare. “Ky është një akt për shkatërrimin tonë,” tha Akgun, duke shtuar se po përballet me një fushatë të organizuar që synon mbylljen e revistës së njohur për satirën politike dhe kritikat ndaj qeverisë.

Ngjarja ka rikthyer debatet për lirinë e shprehjes në Turqi, me shumë komentues që e krahasojnë situatën me rastin e revistës franceze Charlie Hebdo.