minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Tentohet për të 40-tën herë për konstituimin e Kuvendit

publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 08:14


Vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës do të mbahet sot nga ora 11:00.

Tridhjetenëntë vazhdimet e deritanishme kanë dështuar për formimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit përmes një aktgjykimi ka vendosur të enjten, më 26 qershor, që Kuvendi duhet të konstituohet brenda tridhjetë ditësh.