Piro Misha: Fatlumë që ishim bashkëkohës të Kadaresë
publikuar nga ExLibris, ne #ExLibris. ora 10:52
Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh dhe akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë, më 1 korrik 2025, mbajtën veprimtarinë përkujtimore në nderim të tij.
Ismail Kadare ishte vetëm 16 vjeç kur botoi krijimet e para. Me një karrierë letrare mbi 70-vjeçare, nga më të gjatat jo vetëm në letërsinë shqiptare, pjesa më e madhe e së cilës nën regjimin komunist, ai krijoi një vepër që mund të konsiderohet monumentale. I përkthyer në mbi 40 gjuhë, fitues i pjesës më të madhe të çmimeve letrare më prestigjioze, i konsideruar një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kohës, mund të thuhet se më shumë çdokush tjetër ai kontribuoi që qindra mijëra njerëz në mbarë botën të zbulonin një vend të vogël si Shqipëria, madje edhe atëherë kur ajo e mbyllur tërësisht në vetëvete, bënte çmos të harrohej.
Sidoqoftë, unë s’kam ndërmend e as pretendimin që në këtë fjalë të shkurtër të analizoj universin aq kompleks të veprës së tij. Më poshtë do të ndalem vetëm në disa momente të jetës dhe të veprës së tij, që shpresoj se do të shërbejnë për ta vendosur figurën e Kadaresë në një perspektivë historike:
Siç dihet, para shfaqjes së Ismail Kadaresë në letërsinë shqipe, ajo ishte fare pak e njohur në botë, përtej cakut të një grushti studiuesish. Madje dhe ata shkrimtarë që fati i bëri të largohen prej vendit e që kaluan një pjesë të mirë të jetës së tyre në Perëndim (Koliqi, Camaj etj.) s’është se kjo i ndihmoi për t’u bërë të njohur jashtë qarqeve të specialistëve. Dhe ja, papritur, në vitet ’70-të të shekullit të shkuar shfaqet ky shkrimtar shqiptar, vepra e të cilit jo vetëm nis të përkthehet në mbarë botën, por që gjithnjë e më shumë dëgjon të shpallet fillimisht një ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë ballkanike, duke e vendosur në krahë të nobelistëve të tillë si Ivo Andriç, Seferis apo Elitis. Dhe siç e dimë, pa kaluar shumë vite, dora dorës që shtoheshin veprat e tij të botuara nëpër botë, ky përfaqësues i një prej popujve më të izoluar nga bota, por dhe më të varfër e të prapambetur të Europës, që po ashtu kishte disavantazhin të shkruante në një prej gjuhëve të ashtuquajtura të vogla, shkrimtarët e të cilave e kanë gjithnjë objektivisht më të veshtirë të çajnë në botën e madhe, u bë një ndër shkrimtarët më të përkthyer e të lexuar në nivel global.
Sipas një prej paradigmave të pranuara gjerësisht, letërsia, arti i madh ka lindur gjatë historisë në vendet më të zhvilluara, si kurorëzim i një procesi, në një terren të përgatitur prej brezash të tërë paraardhësish të shquar. Gjë që përgjithësisht qëndron, po pate parasysh historinë e artit botëror, së paku deri në shfaqjen e globalizmit, kur kufijtë fizikë mes vendeve e kulturave relativizohen. Po gjatë historisë së letërsisë botërore kanë ekzistuar gjithnjë edhe përjashtime, raste kur individë të caktuar gjenialë arrinë që, pavarësisht pengesave të pakapërcyeshme për gjithë të tjerët, të kryejne kapërcime të hatshme në raport me traditën e mëparshme letrare të ambientit në të cilin jetojnë. A s’është ky rasti me Kadarenë: një shkrimtar që duke jetuar në kushtet e një prej diktaturave me tiranike dhe më të pamëshirshme (së paku në Europë), e cila prej shkrimtarëve e artistëve kërkonte një nënshtrim pa kushte, pra në një terren që supozohet të ishte krejt i papërshtatshëm për një krijues, ia del të krijojë një vepër e cila arrin të kapërcejë pengesa në dukje të pakapërcyeshme, duke ia dalë të pushtojë lexuesin e botës së madhe me mesazhin e vet universal.
Për të kuptuar atë kapërcim gjigand që ndodhi në prozën shqipe me Ismail Kadarenë, mjafton të kujtojmë nivelin në të cilin gjendej zhanri i romanit shqiptar para daljes së tij në skenë. Mund të duket ky një parashtrim disi provakativ, por unë mendoj se fenomeni Kadare duhet parë më shumë sesa produkt i natyrshëm i evoluimit të një letërsie të kultivuar, si produkt i asaj sinteze gjeniale që ai arriti mes asaj që ai vetë e quante ‘Shqipëria e përjetshme’, rrënjët e thella të së cilës ushqejnë gjithë veprën e tij, me trashëgiminë e letërsisë më të mirë botërore.
Themelet e veprës kadareane ushqehen nga rrënjët e hedhura thellë në humusin e popullit të vet, por po ashtu nga gurra e letërsisë më të mirë botërore të shkruar ndër shekuj. Modelet prej të cilave ai u frymëzua, siç e pohon ai vetë, janë emrat e mëdhenj të letërsisë botërore, nga Homeri e Eskili, Shekspiri, Dante, Servantesi, e deri te shkrimtarët e mëdhenj rusë, Gogoli, Dostojevski, apo dhe Majakovski.
Duke kaluar në një temë tjetër dëshiroj të shtoj diçka lidhur me debatin idiot që herë pas here nxjerr krye në median shqiptare lidhur me faktin nëse Ismaili na paskesh qenë apo jo një disident ndaj regjimit, siç mund të ishte një Havel në Çekosllovaki, apo një Miçnik në Poloni. Them se është një debat idiot, sepse kushdo që e ka jetuar atë kohë e kupton fare lehtë se kushtet e Shqipërisë së periudhës enveriste e bënin këtë krejt të pamundur, sepse Shqipëria komuniste s’pati asgjë që do mund te krahasohej me gjendjen e Çekosllovakisë apo të Polonisë së pas vitit 1956, e cila bënte të mundur atë lloj disidence ku dramat e shkruara prej Havelit të burgosur, viheshin në skenë në teatrot e Pragës.
Kadareja s’ishte e s’mund të ishte një disident në atë kuptim që mori ky term për vendet komuniste kryesisht të Europës qëndrore, por vepra e tij përmbante qartazi elementë disidence ndaj vizionit që kishte regjimi lidhur me realitetin, botën, për të shkuarën e të ardhmen. Vepra e Kadaresë përbënte një lloj kundërkulture, duke sfiduar jo pak prej normave të konformizmit të letërsisë së regjimit, por mbi të gjitha vizionin e tij për botën, duke i dhënë një frymëmarrje krejt të re letërsisë shqipe.
Dëshiroj ta mbyll duke kujtuar një ndër ato elemente pa të cilët vështirësisht mund të kuptohet universi kadarean.
Po e filloj këtë me një konferencë të organizuar (s’e mbaj mend në ç’vit) në Lidhjen e Shkrimtareve për të diskutuar përmbledhjen e sapo botuar të Kadaresë, e cila përfshinte dhe novelën “Natë me hënë”, për të cilën ishin hapur ndërkohë fjalë se qe kritikuar nga lart. Më kujtohet sesi te dera e Lidhjes priste sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve për letërsinë, i cili ishte aty për të porositur çdonjërin prej atyre që ishin në listën e folësve që të bënin kujdes me lëvdatat për Kadarenë. Po ajo që bëri më shumë përshtypje në atë konferencë, ishte fjala kryesore, e mbajtur prej Razi Brahimit, të konsideruar atë kohë si zëdhënësi kryesor ideologjik i regjimit në fushën e kritikës letrare. Në fakt ajo që bëri mjaft përshtypje në fjalën e tij s’ishin kritikat e tij në adresë të Kadaresë, nga që të gjithë në sallë e dinin se Raziu ishte një armik i kahershëm i Kadaresë. Ajo që bëri përshtypje ishte fakti që në vargun e tij të kritikave kësaj here qe shtuar diçka e re, e padëgjuar ndonjëherë më parë, gjë që të gjithë e dinin se s’mund të ndodhte pa patur pëlqimin e dikujt më lart. Në fjalën e tij Razi Brahimi u përqëndrua tek ajo që ai e quajti “europianizmi i Kadaresë”. Term ky që se paku zyrtarisht s’qe përdorur më parë, por qe në fakt, kapte thelbin e vizionit të Kadaresë për atë që ai e quante ‘Shqiperia e përjetshme’.
Ismail Kadareja mund të konsiderohet një ndër shkrimtarët më europianist që ka njohur letërsia shqiptare, vazhdues i denjë i asaj tradite që e kishte zanafillën te Rilindja Kombëtare. Ai mendonte se shqiptarët do duhej ta përkufizonin pa asnjë ekuivok vendin e tyre në histori si pjesë të qytetërimit europian, duke iu larguar një herë e mirë ndikimit të Orientit. Në një pjesë të mirë të veprës së tij gjen madje një kundërvënie gati skematike të nocioneve Europë e Azi, të ngjashëm në fakt me atë Erodotit në Greqinë e kohës së Salaminës dhe të Termopileve. Sipas Kadaresë rreziku për shqiptarët është shfaqur përherë nga Lindja, ndaj dhe e shihte si pjesë të misionit të tij si shkrimtar të bënte gjithçka që shqiptarët të shkëputeshin një herë e mirë nga joshja aziatike. Dhe për Kadarenë Azia ishte jo thjeshtë ajo e osmanllinjëve, por dhe ajo e Kinës dhe e hapësirës së pafund të stepave ruse. Kjo prirje e tij bëhet më e dukshme sidomos te cikli i romaneve që përbëjnë atë që mund të quhet ‘cikli perandorak’, ku si vend emigrimi letrar ai zgjodhi jo rastësisht Perandorinë Osmane, në të cilën ai shihte shtetin e parë që kishte ndërtuar nje sistem të aftë dhe modern të nënshtrimit të njeriut, që për të qe njëherësh dhe pararendës i Bashkimit Sovjetik Stalinist, apo i Kinës maoiste. Apo dhe i Shqipërisë enveriste.
Ky merak i tij vazhdoi madje dhe atëherë kur Shqipëria u duk se më në fund e kishte zgjedhur njëherë e përgjithmonë fatin e vet historik. Atëherë kur dukej sikur era e Perëndimit kishte fituar tashmë përfundimisht mbi atë të Lindjes, kur megjithatë ai vazhdonte t’u kujtonte shqiptarëve se duhet të bënin gjthnjë kujdes për të mos ua lejuar vetes asnjë lloj joshje që mund t’i rrezikonte për t’u larguar sado pak nga rrugëtimi i nisur.
Për ta përfunduar, mendoj se shqiptarët duhet ta quajnë veten me fat që kemi një shkrimtar të përmasave të tilla si Ismail Kadareja. Ne të gjithë duhet ta konsiderojmë veten fatlumë që ishim bashkëkohës të tij.