Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Night in”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar
publikuar nga administrator, ne #Policia e Shtetit. ora 11:33
Durrës/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve në kërkim.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Night in”, për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një 25-vjeçar i akuzuar nga autoritetet italiane, për trafikim të narkotikëve.
Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Night in”.
Gjatë këtij operacioni, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi R. M., 25 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Breshias, Itali, me vendimin e datës 31.01.2025, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.