Diella, Rama: Prokurime publike online mbi standardet dhe platformat e BE-së
Edi Rama foli sot në lidhje me ecurinë e procesit për kalimin e prokurimeve publike në mënyrë digjitale përmes “Diella”-s, ku bëri të ditur se sistemi ka hyrë në një fazë të re zhvillimi pas miratimit të specifikimeve teknike nga Banka Botërore.
Rama deklaroi se tashmë Shqipëria është gati të kalojë në fazën e ndërtimit të një sistemi absolutisht inovativ të prokurimit elektronik, të bazuar në inteligjencë artificiale.
Ai u shpreh se projekti ndodhet në një fazë të re të procesit, ndërsa tha se janë hartuar 450 faqe specifikime teknike, për të cilat kanë punuar ekspertë vendas dhe të huaj. Sipas Ramës, dokumentacioni i është vënë më pas për shqyrtim Bankës Botërore, e cila sipas tij pak ditë më parë ka dhënë dritën jeshile pa kundërshtime për certifikimin e projektit.
Rama tha se ekspertët nuk kanë punuar në izolim, por kanë bashkëpunuar me specialistë nga disa vende, ndërsa në Shqipëri është zhvilluar edhe një workshop intensiv me pjesëmarrjen e 16 shteteve që kanë elemente të inteligjencës artificiale në proceset e prokurimit.
Sipas kryeministrit, projekti shqiptar është i pari i këtij lloji, pasi synon që të gjithë elementët e procesit të prokurimit publik të vendosen në një zinxhir të vetëm.
“Mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella po fle. Por, tani jemi në një fazë të re të procesit, pasi gjatë kësaj periudhe janë hartuar 450 faqe me specifikime teknike të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë vendas. Këto faqe janë vënë më pas në shqyrtim nga Banka Botërore, e cila ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile, pa kundërshtime. Tani jemi gati të kalojmë në fazën e ndërtimit të një sistemi të prokurimit elektronik me AI. Ekspertët tanë nuk kanë punuar në një ishull të izoluar, por kanë ndërvepruar me ekspertë në një sërë vendesh. Është zhvilluar edhe një workshop me 16 vende që kanë elementë të AI në proceset e prokurimit, por projekti ynë është i pari i këtij lloji, sepse synon që të gjithë elementët të vendosen në një zinxhir dhe të mundësojë prokurimin me AI në një masë shumë të madhe. Gjithashtu, synon që asnjë biznes të mos detyrohet të mbledhë letra dhe asnjë nëpunës të mos ketë në dorë të luajë me dokumentet e biznesit, pasi të gjitha të dhënat do të mblidhen nga Diella përmes mbi 40 regjistrave publikë. Më pas, të dhënat do të jenë në dorën e biznesit për t’i aktivizuar vetëm me një klik. Një proces që do të shkojë nga studimi i tregut te dorëzimi i ofertave, monitorimi i kontratave dhe çdo ndërveprim do të jetë në ekran, transparent dhe i gjurmueshëm. Kjo do të bëjë që të mbyllet një herë e mirë, për institucionet publike, praktika e hartimit të specifikimeve, shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave në mënyrë manuale. Diella do ta bëjë të gjithë këtë volum me algoritme të inteligjencës artificiale, shpejt dhe saktë, ndërsa procesi do të jetë i gjurmueshëm dhe kushdo që do të ketë pretendime, do të mund ta rishohë të gjithë procesin manualisht. Sistemi është planifikuar të ndërtohet mbi parimet më të larta të transparencës, të përcaktuara nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Gjithçka do të mbështetet në platformat e Bashkimit Evropian dhe çdo njoftim do të publikohet edhe në platformat e Bashkimit Evropian. Do të jemi tërësisht në një fazë tjetër brenda këtij mandati dhe të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së, brenda vitit 2030. Ky është një manifest i vullnetit tonë për Shqipërinë shtet evropian në Bashkimin Evropian. Diella, faktikisht, do të shënojë kapërcimin nga një epokë në tjetrën të të bërit biznes. Është një përmbysje totale e një sistemi dhe një reflektim në Shqipëri i gjithë asaj që teknologjia u jep vendeve, mbi të gjitha vendeve në zhvillim si i yni. Do të prezantojmë planin e detajuar në vijim, por do të nisim edhe nga rekrutimi i specialistëve të teknologjisë digjitale në këtë projekt dhe jo vetëm. AKSHI tanimë nuk është një dhe i vetëm, do të funksionojë i ndarë me një shoqëri të re publike “Albanian Digital Solutions”, kompani 100 për qind shtetërore që do të synojë të rekrutojë më të mirët e treg, t’i paguajë më shumë se çdo kompani në treg, dhe të kthehet në një forcë udhëheqëse në tregun e teknologjisë dhe që shtyn para një shtet që synon të bëjë kapërcime të mëdha në të gjitha fushat”, deklaroi Rama.
The post Diella, Rama: Prokurime publike online mbi standardet dhe platformat e BE-së appeared first on Euronews Albania.