Ndarja e plazheve në Velipojë, përveç hapësirës publike falas bashkia do ketë edhe sipërfaqe me pagesë modeste

Gjatë këtij sezoni veror, pushuesit në Velipojë do të kenë mundësi të zgjedhin mes hapësirës publike, asaj private dhe hapësirës që do të menaxhohet nga bashkia.
“Bashkive u jepet e drejta që sipërfaqet e plazheve publike t’i menaxhojnë ata me pagesë. 30% e plazhit do të jetë pa pagesë, ndërkohë bashkitë kanë edhe të drejtën të menaxhojnë plazhe me çmime modeste. Pushuesit do të kenë 3 mundësi: plazh pa pagesë, plazh me pagesë dhe e menaxhuar nga bashkia dhe plazhet private”, sqaron Bekim Mema, drejtor i Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik, Bashkia e Shkodrës.
Në stacionet e plazheve që do të menaxhohen nga bashkia, turistët do të gjejnë çadra kundrejt një pagese jo më shumë se 500 lekë.
“Do të kemi 3 stacione plazhi të menaxhuara nga ana e bashkisë, në Velipojë dhe një në Rrjoll, çmimet do të variojnë 400-500 lekë”, thotë Mema.
Çdo stacion plazhi i menaxhuar nga bashkitë do të ketë një tabelë informuese, ndërsa sipas rregullores, ato duhet të jenë të pajisur edhe me kabina zhveshjeje, dushe dhe kosha për mbeturina.