Përurohen mjediset e reja të GJKKO, Kreu i Gjykatës së Posaçme: Standard i ri për drejtësinë

Sot përurohen ambientet e reja të Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimi i Organizuar (GJKKO), në një ceremoni ku mori pjesë edhe drejtuesi i saj, Erion Bani.
Erjon Bani, rreshtoi disa nga ndërhyrjet e bëra duke nënvizuar se ky transformim ishte domosdoshmëri institucionale.
“Godina u ndërtua me mbështetjen e Bashkimit Europian, sot shprehim sërish mbështetjen tonë për BE-në. Pas më shumë se 15 vitesh funksionimi intensiv, u bë e nevojshme ndërhyrja infrastrukturore”, tha ai.
Sipas tij, ky hap e bën gjykatën më dinjitoze dhe funksionale. “Sallat e gjykimit kishin nevojë për rimodelim të plotë”, theksoi ai, duke shtuar se ato ishin prioritet i këtij transformimi, sepse janë “zemra e gjykatës”.
Nuk mbeten pas hollet apo ambiente të tjera të godinës.
“Janë bërë ndërhyrje në 16 zyra të gjyqtarëve, në sallën e mbledhjeve dhe në zyra të tjera të gjykatës”, bëri me dije Bani.
Është përuruar edhe zyra e medias, e posaçme për gazetarët. Kreu i kësaj gjykate vuri theksin te roli i medias, duke deklaruar se ky është një mesazh se kjo gjykatë e sheh transparencën si pjesë të kulturës së saj institucionale.
Hapësirë të dedikuar do të ketë edhe për pritjen e dëshmitarëve, si garanci për qetësi, mbrojtje dhe respekt.
“Salla e gjykimit është konceptuar në mënyrë të tillë që të garantojë rendin dhe dinjitetin njerëzor. Personat e paraburgosur të mbahen në ambiente të lira, të përshtatshme dhe të sigurta. Që i gjykuari të dëgjojë procesin dhe të ndjekë seancën. Ajrim dhe temperaturë e përshtatshme. Gjithashtu, një ambient ku të pandehurit apo të paraburgosurit të komunikojnë me mbrojtësin e tyre“, njoftoi ai.
“Një gjykatë më e sigurt është një gjykatë më e pavarur dhe më funksionale. Pasuria e krijuar në mënyrë të paligjshme nuk mbetet në duart e krimit, por i kthehet shoqërisë në shërbim publik. Ky investim tregon se shteti i së drejtës di ta kthejë paligjshmërinë në vlerë publike. Ky transformim është fillimi i një standardi të ri, jo fundi i një projekti. Drejtësia matet me mënyrën se si qytetari pritet, dëgjohet dhe trajtohet”, përfundoi ai.
/vizionplus.tv