Ndryshojnë rregullat që përcaktojnë fuqinë e motorëve në makinat F1 për vitin 2027
Formula 1 po përgatit një përditësim serioz për motorët e sezonit 2027. Pas një takimi online mes FIA-s, skuadrave dhe prodhuesve të motorëve, është arritur një marrëveshje paraprake për të ndryshuar balancën mes fuqisë elektrike dhe motorit me djegie të brendshme te njësitë hibride V6.
Aktualisht, rregullorja e re që hyn në fuqi në 2026 parashikon një ndarje pothuajse 50-50 mes energjisë elektrike dhe asaj të prodhuar nga motori klasik me djegie të brendshme. Problemi qëndron se në simulime dhe garat e para testuese, pilotët po detyroheshin të kursenin energji në mënyrë agresive, duke ndikuar negativisht te performanca dhe spektakli në pistë.
Për këtë arsye, Formula 1 po lëviz drejt një konfigurimi 60-40 në favor të motorit me djegie të brendshme. Konkretisht, plani për 2027 përfshin rritje të fuqisë së motorit me djegie të brendshme me rreth 50 kW dhe ulje të ngjashme të sistemit elektrik ERS. Bashkë me këtë do të ketë edhe rritje të fuel flow, pra më shumë karburant për performancë më të qëndrueshme.

Sipas FIA-s, ndryshimet synojnë ta bëjnë garimin më “intuitiv” për pilotët, më të sigurt dhe më konkurrues për skuadrat. Në thelb, F1 duket se po pranon se elektrifikimi ekstrem nuk po funksionon aq mirë sa ishte planifikuar.
Ndërkohë, ndryshimet e testuara në Miami Grand Prix janë konsideruar pozitive. FIA konfirmoi se nuk janë evidentuar probleme sigurie dhe se sistemi i ri redukton “rigjenerimin e energjisë” që po penalizonte pilotët në xhiro të plota.
Në diskutim janë edhe ndryshime të tjera për startet dhe garat në shi. Nëse gjithçka miratohet nga prodhuesit dhe World Motor Sport Council, përditësimi i madh i motorëve do të bëhet zyrtar për sezonin 2027.
The post Ndryshojnë rregullat që përcaktojnë fuqinë e motorëve në makinat F1 për vitin 2027 first appeared on Geek Room.