Takimi i ministrave të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, Kos: 200 mln euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi
Do të mbahet këtë të hënë Takimi i ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se do të diskutohen tema kyçe gjeopolitike, duke nisur me Ballkanin Perëndimor.
Sakaq, Kos ka theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet strategjik, duke theksuar se ka vend për të gjitha shtetet e rajonit në BE, nëse ato përmbushin reformat e kërkuara.
Ndërkohë, ajo theksoi se Bashkimi Evropian do të ofrojë 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në zbatim të Planit të Rritjes.
Pjesë nga intervista:
Dhe kam një mesazh shumë të qartë, ka vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë japin rezultate, atëherë edhe ne duhet të japim rezultate.
Dhe po japim rezultate, siç e dini, pas 17 vitesh kemi krijuar për herë të parë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit për një vend të ri. Ky është Mali i Zi.
Eurobarometri i fundit tregoi se qytetarët e Malit të Zi janë shumë në favor të anëtarësimit në BE.
Sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes, ai po ecën mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afërsisht 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Po ashtu, po sjellim rezultate konkrete edhe sa i përket integrimit gradual. Siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA.
Tani po përgatisim samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor dhe pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën evropiane.
Do të diskutojmë gjithashtu për Ukrainën dhe sot do t’u kërkoj të gjitha shteteve anëtare që sa më shpejt të hapin zyrtarisht të gjithë kapitujt.
Kapitulli i parë mund të hapet ende gjatë presidencës qipriote, ndërsa për pesë kapitujt e tjerë shpresojmë që kjo të realizohet në korrik.
Kemi bërë shumë punë përgatitore dhe tani gjithçka është gati për t’u hapur zyrtarisht.
Më pas, pasdite, do të kemi një takim shumë të rëndësishëm të nivelit të lartë të koalicionit ndërkombëtar për kthimin e fëmijëve ukrainas.
Po e organizojmë këtë së bashku me Kanadanë dhe Ukrainën dhe, bashkë me përfaqësues nga rreth 60 vende, do të diskutojmë për tre tema. E para është si t’i kthejmë fëmijët.E dyta është si të kujdesemi për ta dhe familjet e tyre pasi të jenë kthyer.
Dhe tema e tretë, shumë e rëndësishme, është mbajtja e Rusisë përgjegjëse për këtë.
Lufta ka shumë fytyra, por rrëmbimi i fëmijëve është një nga gjërat më të tmerrshme dhe kjo duhet të ndalet. Rusia duhet të paguajë për këtë.
Pyetje: A keni pasur tashmë një shkëmbim me qeverinë e re hungareze lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në BE? A janë pozitivë?
Kos: Shoh një mesazh shumë pozitiv nga kryeministri i ri, Peter Magyar, i cili tha se të gjitha vendet kandidate do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Sigurisht që kemi folur shumë edhe për Ukrainën.
Pyetje: Cilat do të jenë hapat konkretë që do të diskutoni sot për kthimin e fëmijëve?
Kos: Ka shumë nivele. Së pari, duhet të kemi një sistem dhe ky sistem tashmë ekziston me ndihmën e Ukrainës. Ministria e Drejtësisë ka ndërtuar një sistem të mirë.
Duhet të kemi fonde të mjaftueshme për të qenë në gjendje t’i gjejmë këta fëmijë.
Gjithashtu, shumë i rëndësishëm është niveli diplomatik. Me ndihmën e të gjitha vendeve pjesëmarrëse duhet të rrisim ndërgjegjësimin për atë që Rusia po bën realisht.
Kjo është diçka që e njohim nga Lufta e Dytë Botërore dhe po ndodh përsëri. Nuk duhet të ndodhë.
Pres që, me ndihmën e të gjitha këtyre vendeve, të jemi në gjendje të kthejmë sa më shumë nga mbi 20 mijë fëmijët e rrëmbyer.
Sa i përket Ukrainës dhe dokumenteve të nevojshme, kjo është përgjegjësi e Komisionit Evropian dhe jemi në rrugë të mirë.
Shpresoj që javën e ardhshme të mund të disbursojmë pagesat e para.
“28 me 28” për Malin e Zi, jam shumë e lumtur që mbështetja e qytetarëve të Malit të Zi për BE-në është rritur me më shumë se 20%.
Kjo është provë se kur qeveria e Malit të Zi dhe Komisioni Evropian punojnë së bashku, qytetarët e shohin progresin dhe e mbështesin atë.
Asnjë anëtarësim nuk mund të ndodhë pa mbështetjen e qytetarëve.
Nëse Mali i Zi vazhdon në këtë rrugë dhe ne vazhdojmë ta mbështesim, atëherë do të ishte e mundur që pjesa teknike e negociatave të përfundojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Por sigurisht, Mali i Zi duhet të japë rezultate dhe shtetet anëtare duhet ta mbështesin këtë.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që qeveria e Malit të Zi të punojë edhe me qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.
Pyetje: A do të jetë kjo paketë një “game changer” për Ukrainën?
Kos: Nuk mund të them se paratë do ta ndalin luftën. Por këto fonde do t’i mundësojnë Ukrainës të mbrojë jo vetëm vendin e saj, por edhe Evropën dhe vlerat evropiane.
Deri në fund të vitit 2027 mendoj se, me ndihmën e donatorëve, mund të sigurojmë një pjesë të mirë të fondeve jo vetëm për aspektin ushtarak, por edhe për funksionimin normal të shtetit.
Një pjesë e këtyre fondeve do të shkojë në buxhetin shtetëror dhe për këtë Ukraina duhet të vazhdojë reformat, dhe po i vazhdon ato.
Pyetje: Çfarë mendoni për Armeninë dhe orientimin e saj më evropian?
Kos: Vetëm populli i Armenisë mund të vendosë për të ardhmen e tij.
Takimi i fundit i Komunitetit Politik Evropian dhe samiti BE-Armeni treguan qartë drejtimin që ata duan të ndjekin dhe Evropa do t’i mbështesë.
Sigurisht që jemi të vetëdijshëm për dinamikat gjeopolitike në rajon dhe do t’i ndjekim me shumë kujdes.
Pyetje: Ka ide për integrim gradual, madje edhe në institucione pa të drejtë vote. Çfarë mendoni?
Kos: Metodologjia e procesit të zgjerimit që po përdorim është rreth 40-vjeçare. Jetojmë në kohë të tjera. Nuk jetojmë më në kohë paqeje. Nuk kemi kohë për të humbur.
Prandaj po diskutojmë me shtetet anëtare mundësinë që parimet e integrimit gradual, të cilat aktualisht po përdoren kryesisht në tregun e përbashkët, të shtrihen edhe në fusha të tjera, veçanërisht në siguri.
Jemi në diskutime të thella me shtetet anëtare dhe jam pozitive për zhvillimet.
Sa i përket Serbisë, Serbia ka vend në Bashkimin Evropian-një Serbi demokratike.
Ajo që po bëjmë tani është të kontrollojmë vazhdimisht nëse vendet përfituese të fondeve të Planit të Rritjes po i përmbushin kriteret.
Është e vërtetë që pas amendamenteve në drejtësi disa muaj më parë nuk kemi bërë pagesa, por nuk ka pasur asnjë vendim formal për ndalimin e tyre.
Pra, nëse Serbia përmbush kriteret, dhe ne shpresojmë që ta bëjë këtë, atëherë sigurisht që do të ketë progres.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet se statusi i vendit kandidat sjell angazhime nga të dyja palët.
Ne presim nga një vend kandidat të ecë përpara dhe jo të shkojë prapa në fusha të caktuara.