Ministri Hoxha në Bruksel: Zgjerimi i BE-së është garancia kryesore për stabilitet dhe paqe në Evropë
Me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin informal mes ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimi Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.
Në këtë takim, Hoxha theksoi se për Shqipërinë, procesi i zgjerimit të BE-së mbetet një zgjedhje strategjike dhe garancia më e fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik.
Sipas tij, zgjerimi është po aq i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, duke sjellë si shembull ciklet e mëparshme të integrimit. Ai nënvizoi se ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë, por njëkohësisht të jetë i besueshëm, i prekshëm dhe i ndjekur në mënyrë aktive.
“Shqipëria ka investuar vazhdimisht dhe do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sepse mbetemi të bindur se nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme”, deklaroi ministri Hoxha.
Mesazhi pas takimit në Bruksel
Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, Hoxha u shpreh se bota po përballet me ndryshime të thella gjeopolitike, ku uniteti i qëllimit dhe veprimit është bërë domosdoshmëri.
Ai theksoi se për Shqipërinë, integrimi në BE nuk është një opsion i lirë për zgjedhje, por një angazhim i plotë strategjik.
Ministri nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar nevojën për adresimin e çështjeve të hapura dhe forcimin e dialogut në rajon.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se rajoni meriton një të ardhme të bazuar në stabilitet, njohje reciproke dhe integrim evropian.
Hoxha foli edhe për rreziqet e shtuara nga kërcënimet kibernetike dhe hibride, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të rajonit dhe BE-së për rritjen e qëndrueshmërisë.
Në përmbyllje, Ministri i Jashtëm rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar me ritëm të lartë procesin e integrimit evropian, si prioritet strategjik kombëtar.