Publiku shkodran mirëpriti koncertin “Matiné Klasike” me interpretimet e artistëve lirikë dhe pianistëve

Holli i Teatrit “Migjeni” mirëpriti koncertin “Matiné Klasike”, një aktivitet artistik që solli për publikun një repertor të pasur me vepra të kompozitorëve më të mëdhenj botërorë dhe shqiptarë. Koncerti bashkoi në një skenë pianistë, këngëtarë lirikë dhe instrumentistë, duke ofruar një udhëtim muzikor nga Bach, Mozart, Beethoven e Chopin, deri te Verdi, Bellini, Jakova dhe Simon Gjoni.

Regjisori Arben Haveri theksoi se koncerti synon të afrojë publikun me muzikën klasike dhe të promovojë vlerat artistike përmes interpretimit të veprave të pavdekshme.

Koncertmaestrja Hermira Gjoni vlerësoi angazhimin e artistëve dhe rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla në jetën kulturore të Shkodrës.

Në skenë u ngjitën sopranoja Ana Lushi, tenorët Ardian Kamberi, Aldrin Biba dhe Izet Salihu, pianistët Leona Salihi, Edoardo Salihi, Mirko Salihi dhe Amir Gjakoviç, si edhe instrumentistë të tjerë, të cilët interpretuan pjesë të njohura të repertorit klasik.

Sopranoja Ana Lushi u shpreh se interpretimi i veprave të kompozitorëve të mëdhenj është një përgjegjësi artistike, por edhe një kënaqësi e veçantë për çdo artist.

Pianisti Amir Gjakoviç vlerësoi atmosferën e koncertit dhe interesimin e publikut për muzikën klasike, duke theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.

Koncerti u mirëprit nga publiku shkodran, duke konfirmuar edhe një herë traditën e qytetit në kultivimin dhe promovimin e muzikës klasike, si një nga vlerat më të rëndësishme të jetës artistike në Shkodër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *