Muaji korrik e ka gjetur Velipojën me një fluks të lartë pushuesish dhe turistësh, duke konfirmuar edhe këtë sezon statusin e saj si një nga destinacionet më të preferuara verore në Shqipëri. Plazhet publike dhe ato të administruara nga Bashkia Shkodër po tërheqin çdo ditë vizitorë vendas e të huaj, të cilët vlerësojnë pastërtinë, organizimin dhe shërbimet e ofruara.
Një nga risitë e këtij sezoni turistik është vendosja e rampës që mundëson aksesin deri në det për personat me aftësi të kufizuara. Ky është shërbimi i parë i këtij lloji në një plazh publik në Shqipëri dhe synon ta bëjë Velipojën një destinacion më gjithëpërfshirës, duke u krijuar mundësi të barabarta të gjithë vizitorëve për të shijuar bregdetin.
Përshtypjet pozitive të pushuesve për pastërtinë, hapësirat publike, shërbimet dhe investimet e reja po shërbejnë si promovimi më i mirë për Velipojën. Me rritjen e numrit të vizitorëve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës turistike, sezoni veror pritet të jetë ndër më të suksesshmit për këtë zonë bregdetare.