Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar drejtorin e ri të Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), Valdrin Pjetri, duke përcaktuar prioritetet që do të udhëheqin punën e institucionit në periudhën në vijim.
Gjatë prezantimit, ministri theksoi se çështja e pronës nuk është thjesht një proces administrativ, por lidhet drejtpërdrejt me historinë e familjeve shqiptare dhe besimin e qytetarëve te shteti.
Sipas Gogut, Agjencia e Trajtimit të Pronave do të intensifikojë punën për përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve, rritjen e transparencës për qytetarët dhe forcimin e standardeve të integritetit në ofrimin e shërbimeve.
Ministri nënvizoi se zgjidhja e çështjeve të pronës mbetet një element kyç për forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik të vendit dhe avancimin e procesit të integrimit europian.
Ai shtoi se çdo përmirësim në funksionimin e institucionit, pavarësisht përmasës së tij, ka rëndësi për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe rritjen e besimit ndaj institucioneve publike.