... minut pas minuti

Studentja e parë e pikturës tregon vështirësitë e periudhës së diktaturës: Isha e vetmja vajzë në klasë, burri më ndihmonte shumë

publikuar nga lia rda, ne #ABC News. ora 10:30

Liljana Çefa ka treguar se bashkë me Valentina Ballin janë vajzat e para që kanë studiuar artet pamore në Shqipëri.

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, shkodrania ka zbuluar se djemtë e klasës e respektonin shumë dhe e ndihmonin, pasi kishte probleme me sytë.

“Me Valentinën ishim studentet e para vajza në artet pamore. Valentina ishte në klasë me vetëm një djalë, Pirro Dollaku. Ndërsa, ne ishim 7 vetë në klasë, ka qene Remzi Bega, shumë… Më respektonin shumë dhe më ndihmonin shumë prej problemeve prej syve”.

Sakaq, Liljana ka theksuar se një ndihmë shumë e madhe për të ka qene dhe bashkëshorti, i cili e ndihmonte me familjen dhe punët e shtëpisë, në mënyrë që ajo të kishte kohë për të pikturuar.

“Burri më ka ndihmuar shumë, në shumë drejtime, për të më dhënë më shumë kohë për pikturën. Ai ka mbajtur fëmijët, ka dalë me ta. Mund të ketë bërë diçka për të ngrënë, ma ka ndihmuar për të pastruar, për të më dhënë kohën e punës. Mos u ngatërro me këto punë, më thoshte, i bëj unë, ti pikturo”.

Sipas Liljanës, në pikturën e diktaturës ishte e vështirë të pikturoje sepse temat ishin të kufizuara, por gjithsesi ajo ia ka dalë.

“Në periudhën e diktaturës ka qene pak e vështirë për të pikturuar se na vinin broshurat me tematikë të përcaktuar dhe zgjidhja tematikën që ndieja unë. Kanë qene lloje të ndryshme, si fëmijët e mbetur jetima, nëna parti, kam bërë një partizane të strehuar e mbuluar me një batanije të vjetër dhe këmba e dalë jashtë se ishte e plagosur. Me këtë kam marrë çmimin e tretë në rang kombëtar”./abcnews.al