... minut pas minuti

Holanda “sfidon” BE-në, kërkon të përjashtohet nga klauzola për migracionin

publikuar nga Xhensila Buba, ne #Euronews. ora 12:19

Qeveria e re holandeze ka përmbushur premtimin e saj dhe i ka paraqitur një kërkesë Komisionit Evropian për të siguruar një klauzolë të përjashtimit nga sistemi i migracionit dhe azilit të BE-së, një lëvizje e paprecedentë nga një shtet anëtar themelues.

“Sapo kam informuar Komisionin Evropian se dua një tërheqje të migrimit brenda Evropës për Holandën”, tha Marjolein Faber, ministri holandez për azilin dhe migracionin, të martën në mëngjes.

"Ne duhet të jemi përsëri në krye të politikës sonë të azilit!”

Faber i përket Partisë për Liri (PVV), partisë së ekstremit të djathtë, ultra-nacionaliste e udhëhequr nga Geert Wilders, i cili është forca kryesore pas koalicionit të ri qeverisës.

Plani i heqjes dorë, i parashikuar në korrik dhe i konfirmuar javën e kaluar, konsiderohet i largët dhe simbolik, me pak ose aspak shanse për të pasur sukses pasi do të kërkonte rishikim të legjislacionit shumë të ndjeshëm dhe mund të hapte portat për kërkesa të ngjashme.

Në letrën e saj drejtuar Ylva Johansson, Komisioneres Evropiane për Çështjet e Brendshme, Faber pranon se përjashtimi mund të arrihet vetëm "në rast të ndryshimit të Traktatit”, dhe jo në afat të shkurtër.

Përjashtimi i Holandës nga sistemi i migracionit të bllokut do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme një valë azilkërkuesish drejt vendeve fqinje, duke krijuar një skenar krize.

Megjithatë, kërkesa përfaqëson një përpjekje të re kurajoze nga një vend i BE-së për të sfiduar ligjet e vendosura në një përpjekje të dëshpëruar për të frenuar migrimin e parregullt.