... minut pas minuti

20 të vrarë, 450 të plagosur nga shpërthimet e radiove të dorës së Hezbollahut

publikuar nga Suela Meno, ne #Euronews. ora 08:41

Të paktën 20 persona u vranë dhe 450 të tjerë u plagosën pas shpërthimit të radiove të dorës që përdoren për komunikim nga organizata Hezbollah. Shpërthimet ndodhën në pjesën jugore të Libanit dhe në rrethinat e Bejrutit.

Së paku një nga shpërthimet ndodhi pranë një funerali të organizuar nga Hezbollahu, organizatë që mbështetet nga Irani, për personat e vrarë një ditë më parë, kur mijëra pajisje komunikimi shpërthyen në mbarë vendin duke lënë edhe shumë të plagosur në radhët e luftëtarëve të kësaj organizate.

Grupi Hezbollah fajësoi Izraelin për sulmet. Autoritetet izraelite nuk kanë bërë deklarata edhe pse ekspertët e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe SHBA u thanë mediave amerikane se sulmet e të martës ndaj pasijeve të komunikimit që njihen si ‘pagers’ ishin vepër e Mossadit, agjencisë izraelite të inteligjencës.

Të mërkurën, Hezbollahu tha se në shenjë hakmarrjeje kishte sulmuar pozicionet e artilerisë izraelite me raketa, sulmi i parë që kishte si objektiv armikun e tij kryesor dhe ngriti perspektivën e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Radiot e dorës ishin blerë nga organizata Hezbollah pesë muaj më parë, afërsisht në të njëjtën kohë kur ishin blerë edhe pajisjet e tjera të komunikimit, tha një zyrtar nga strukturat e sigurisë.

Agjencia izraelite e zbulimit Mossad, e cila ka një historik të gjatë operacionesh të sofistikuara jashtë vendit, vendosi eksplozivë brenda pajisjeve të importuara nga Hezbollahu, disa muaj përpara shpërthimeve të së martës, tha një zyrtar i lartë libanez i sigurisë, si dhe një tjetër person për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sulmi i së martës plagosi rreth 3,000 persona, përfshirë shumë luftëtarë të grupit militant, si dhe ambasadorin e Iranit në Bejrut.