... minut pas minuti

Rama nga Brukseli: Gati të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar anëtarësimin në BE

publikuar nga Xhensila Buba, ne #Euronews. ora 09:48

Kryeministri Edi Rama është këtë të enjte në Bruksel. Ai mbajti fjalën e tij në një konferencë të përbashkët me presidentin Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke.

Rama tha se krijimi i komunitetit të përbashkët konsultativ është provë e angazhimit të Shqipërisë për të përshpejtuar me hapat e integrimit në Bashkimin Europian.

“Është tejet inkurajuese dhe na sjell shumë energji të reja, fakti që kemi mundësi të finalizojmë procedurën e krijimit të komunitetit të përbashkët konsultativ. Provë kjo jo vetëm e angazhimit tonë, por edhe e besimit të fortë që ne kemi që procesi i integrimit në BE nuk i përket vetëm qeverisë, por i përket të gjithë shqiptarëve. Në këtë aspekt jam i emocionuar për mbështetjen që na ka dhënë presidenti Rothke. Kjo sepse ne kështu mund ti tregojmë qytetarëve dhe gjithë aktorëve në vendin tonë, nëpërmjet institucioneve në BE, që rruga drejt anëtarësimit në BE është një rrugë ku duhet e gjithë shoqëria dhe jo vetëm disa aktorë në vend. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE”,-tha Rama.

Kryeministri Rama ndodhet në Bruksel pasi pritet të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në  tryezë janë thirrur 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në fokus të diskutimeve do të jenë “axhendat e reformave dhe rritjes”.

Përmes Planit të Rritjes, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e rajonit në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të buta. Shqipëria pritet të përfitojë nga ky fond afro1 mld euro, ndërsa Kosova 880 mln euro.